Barcelona e njofton Dani Alvesin se nuk do t’ia vazhdojë kontratën

Dani Alves e ka përfunduar edhe aventurën e dytë te Barcelona, pasi që klubi e ka njoftuar atë mëngjesin e kësaj të mërkure se nuk do t’i paraqesë ofertë rinovimi.

Lojtari ndodhet në pushime pasi ka përfunduar angazhimet me kombëtaren e tij, por tashmë e di që do të duhet të gjejë një ekip për sezonin e ardhshëm.

Synimi i lojtarit kur u kthye në Barcelonë ishte, nga njëra anë, të ndihmonte Barcelonën në një moment të vështirë dhe, nga ana tjetër, të vazhdonte të merrte minuta përpara Kupës së Botës në Katar.

Prandaj, dëshira e tij do të ishte të vazhdonte, të paktën edhe disa muaj, në Camp Nou.

Në fakt, pas ndeshjes së fundit të La Ligas ai kishte thënë se nuk do të shkonte, do të vazhdonte. Por Barcelona nuk mendon kështu.

Alves mbërriti te Barcelona në afatin e dimrit dhe mori pjesë në gjithsej 17 ndeshje, 16 prej tyre si titullar.

Barcelona dëshiron të nënshkruajë një mbrojtës të djathtë këtë verë dhe qëllimi është Cesar Azpilicueta. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu