Basha për Berishën: Fatkeqësi për demokratët

Basha reagoi ndaj aktit të hyrjes paksa dhe me forcë të Berishës në seli, duke thënë se ai është thjesht një ish-deputet.

“Një ish-deputet i PD-së që është futur me ndihmën e familjarëve me dhunë në selinë e PD-së” tha Basha, duke u ndalur te dhe akti i shkelmimit të një dere.

“Sot po merremi prapë me Sali Berishën që nga dëshpërimi i lëvizjes false personale, po zbrazet mbi dyert e PD-së i shoqëruar nga eksponentë të krimit, si Fatjon Dautaj, narko-trafikanti i kërkuar nga Britania e Madhe, njeriu që shkelmoi një nga dyert e dhomave të PD-së. E kërkojnë në Angli, por ja ku e kanë në selinë e PD-së, duke shkelmuar dyert e PD-së. Informacioni do u përcillet të gjitha përfaqësive relevante në Tiranë.

Hyrja e dhunshme në zyra vetëm ekspozon dëshpërimin e Sali Berishës, pasi e ka kuptuar se është një i vetëm i ndjekur nga një përzierje e çuditshme njerëzish që e kanë urryer dhe e urrejnë, por shpresojnë të kapin diçka prej tij dhe një pjesë demokratë të zhgënjyer, që duhet t’i zhveshim nga iluzionet e Sali Berishës.

PD ka mundësitë të mbrojë integritetin e institucionit të saj. Ndaj sot PD i kërkon prokurorisë të arrestojë Fatjon Dautajn, ta procedojë dhe të nisë procedimin me Britaninë e Madhe.

Sali Berisha me një grup familjarësh dhe banditësh vjen dhe thyen zyrat. Kjo është një fatkeqësi për demokratët”, tha Basha.

“I bëj thirrje Sali Berishës, ish-deputet i PD-së, që të lexojë mirë vendimin e Kuvendit të Partisë Demokratike”, theksoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu