Bashkohuni nëse doni të fitoni!

Sulejman Mehazi

Dal nga dalë po afrohen zgjedhjet parlamentare, organet partiake pozitë, opozitë bëjnë përgatitjet e fundit duke përveshur mëngët e dhëmbët për të treguar se kush e cilët do jenë më të fortë, mëazallah, jo nga veprimet e tyre politike premtuese e realizuese, jemi të bindur e të sigurtë se pas zgjedhjeve, partia fituese shqiptare “tuto kompleto” me dashje apo pa dashje turevrap do ulen në prehërin e partisë fituese koalicioniste maqedonase.

Kjo do jetë më shumë garë e zhurshme e fjalimeve të zbrazura premtuese, gënjeshtra lavdesh e sharjesh, përgojimesh e nënçmimesh. Të gjitha këto shëmti zgjedhore partiake do t’i pësojë populli i ngratë.

Prandaj ju lutemi, kryetarë të partive opozitare shqiptare për t’ia lehtësuar popullit dilemat, brengat e problemet ekonomike, sociale, arsimore, gjuhësore, morale duhet patjetër të bashkoheni gjatë këtyre zgjedhjeve, bashkimi do jetë jo vetëm gëzimi dhe fitorja juaj, por edhe i simpatizantëve, aktivistëve dhe votuesve tuaj, përndryshe të gjitha përpjekjet tuaja do bëhen pikëlluese, huqe e të pa suksesshme.

Si mendoni ju të opozitës, të dilni në zgjedhjet e 11 dhjetorit të ndarë e krye më vehte, mendoni se kështu veç e veç do ta mundni pozitën e korruptuar deri në fyt!? Keni ndëgjuar e parë deri tani të mposhten qeveritë me skandale të ndryshme korruptive e kriminele pa ndonjë forcë të bashkuar opozitare?, besoj se jo, si mendoni, do fitonte Kosova pavarësinë pa bashkimin e forcave të NATO-s, me siguri jo.

Një gjë duhet ditur, se kështu të përçarë kurrë nuk do mund ta fitoni BDI-në e VMRO-në, bile edhe ata e kanë këtë dëshirë që ju ndaras të dilni në zgjedhjet e 11 dhjetorit që t’ju shkallëmojnë e dërmojnë, me një fitore shumë të madhe për t’ju zhdukur përgjithëmonë. Po a s’vëreni sesa të fuqishëm janë, aq, sa janë në hallë të madh edhe diplomacitë europiane e amerikane me princat e korruptuar maqedone-shqiptare.

Do t’ju zhbëjnë për shkak të kapriçiove tuaja partiake. Nëse me të vërtetë e doni popullin më shumë sesa inatet tuaja partiake, atëherë bashkohuni sa s’është vonë, për t’u gëzuar e fituar jo vetëm ju, por edhe popullin tuaj! Të jeni të bindur, se dhe votuesit do ju përkrahin pa hamendje. Urime e suksese opozita jonë e bashkuar!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu