Prapa dyerve të mbyllura të Ohrit 2001: Si u shkrua, u nënshkrua fshehurazi dhe u “tret” dokumenti origjinal

Shkruan: Isak RAMADANI

Në verën e 2001, gati për çdo ditë udhëtonim për në Ohër me Bedri Sadikun, gazetar i Rilindjes dhe Nebi Mërselin, korrespondent i Kohës Ditore për të raportuar rreth bisedimeve që, sikur sot një çerek shekulli më parë do të rezultonin në arritjen e “Marrëveshjes së Ohrit”. Takimet e ndërmjetësuara nga emisarët amerikanë dhe evropianë, James Pardew dhe François Leotard mbaheshin në hotelin Bellevue/Metropol, ku ne përfaqësuesit e medias mund të kalonim nëpër korridor, sa për t’u ndalur jashtë në terracë, ku e kalonim pjesën më të madhe të ditës, në pritje të ndonjë brifingu a informate nga brenda.

Më kujtohet se Vllado Buçkovski i LSDM-së ishte i vetmi që nuk pritonte të informonte gazetarët me përpjekjet e palëve për t’i dhënë fund konfliktit.

Pala shqiptare në bisedime, Arben Xhaferi, PDSH dhe Imer Imeri, PPD, kishin për shoqërues Menduh Thaçin, respektivisht Aziz Pollozhanin dhe Rizvan Sulejmanin, në të shumtën e rasteve. Teksa Thaçi vështirë ishte i qasshëm për median, këta të fundit linin përshtypjen se nuk ishin gijthaq në dijeni me atë se çka ndodhte në sallën e takimeve,

Për t’i rënë shkurt, Marrëveshja u nënshkrua në Shkup në një gjasme ceremonie, ku ishin të pranishëm edhe Javier Solana e Lordi George Robertson. Pa pjesëtarë të medias, vetëm fotoreporteri/kameramani zyrtar i televizionit shtetëror. Politikanët maqedonas kanë qenë ‘mjeshtër’ për minimizimin para publikut të arritjeve të këtij lloji.

Dokumenti origjinal u tret dhe sot nuk dihet nëse ruhet diku në arkiva, megjithëse shumëçka prej tij u shndërrua në ligje, por jo gjithmonë të zbatueshme.

Pesë nga shtatë nënshkruesit nuk jetojnë më: Xhaferi, Imeri, B.Trajkovski dhe ndërmjetësit Pardew e Leotard. Dy të gjallët, Lubço Georgievski dhe Branko Cërvenkovski politikisht janë të vdekur. SHBA dhe BE hynë “dorëzanë’, por tani që kjo arritje është vënë para një sfide të madhe – Uashingtoni e Brukseli! nuk po qesin zâ!

*postim në facebook i gazetarit të njohur të Zërit të Amerikës, titulli nga redaksia


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu