BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, Edi Rama ka një mesazh për Makronin

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka marrë pjesë në Forumin e Davosit për Dialogun Strategjik mbi Ballkanin Perëndimor, në Gjenevë. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se, Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor, aq sa Ballkani Perëndimor, për BE-në.

Duke iu referuar presidentit të Francës, Emmanuel Macron, i cili ishte kundër çeljes së negociatave me vendin tonë më 18 tetor, Rama tha se: “Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë cfarë është në lojë apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes.”

“Dua të theksoj se nga sa mbaj mend për këtë iniciativë, kjo ishte mbledhja më e mahnitshme dhe e dobishme në drejtim të zgjerimit të këtij forumi. Ndihemi si një varkë në mes të detit, pasi na e kanë marrë me forcë busullën. Për ne ka shumë rëndësi ta dimë me saktësi. Është e qartë që nëse procesi i integrimit është karakterizuar në 5-6 vitet e fundit, ajo që ndodhi në tetor e bëri të paparashikueshme. Nuk kemi më mundësi të dimë se cfarë duhet të bëjmë për të marrë atë që kërkojmë, pasi është e qartë që natyra e vendimeve në KE është shumë më e përcaktuar nga vetë vendet anëtare të BE.

Vendet tona nuk janë gati të anëtarësohen, nëse loja e meritokracisë shndërrohet në lojën e fajësimit. Ne e nisëm këtë proces, jo se na detyruan vendet e BE, por sepse ishte ajo që i duhej popullit tonë, kombit tonë. Nuk mendoj se meqë ne e kemi më të vështirë duhet të qajmë apo të lutemi, sepse në fund të fundit e bëjmë për fëmijët dhe brezat e ardhshëm. BE ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq sa ne kemi nevojë për BE. Ata që nuk e kuptojnë këtë nuk kuptojnë mirë cfarë është në lojë apo cilat janë sfidat e sotme dhe të së ardhmes.“,– tha kryeministri./K.C/dritare.net


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu