BE: Përshkallëzimi mes Kosovës dhe Serbisë mund të ketë pasoja për të gjithë rajonin

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë në ditët e fundit kanë shqetësuar Bashkimin Evropian, kërkohet që të dy liderët të marrin menjëherë përgjegjësinë, ekziston rrezik për gjithë rajonin nëse ka një përshkallëzim më të madh, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, transmeton InfoShqip.

Kështu ka shpjeguar sot zëdhënësi për politikë të jashtme, Peter Stano.

Sa herë që ka paqëndrueshmëri lokale, ai eksportohet, ka implikime për rajonin më të gjerë, siç e shohim në Ukrainë”, tha Stano.

Ai theksoi se nëse një pikë e re konflikti shfaqet në tokën evropiane për shkak të vazhdimit të përshkallëzimit, “askush nuk mund të parandalojë shpërthimin e ngjarjeve fatkeqe që mund të çojnë në dhunë”, tha Stano.

Nëse diçka shpërthen në nivel lokal, pashmangshmërisht do të ketë pasoja për rajonin, kjo është diçka që BE-ja nuk mund ta përballojë, Serbia dhe Kosova nuk mund ta përballojnë, rajoni nuk mund ta përballojë dhe prandaj kërkojmë përgjegjësi nga dy liderët për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm“- shtoi zëdhënësi për politikën e jashtme në BE.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borel, këtë fundjavë ka reaguar përmes një deklarate me shkrim në të cilën ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të mos krijojnë pengesa dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të jetë fleksibël për vendimin për targat, si dhe të respektohet vendimi për themelimin e Bashkësisë së Komunave Serbe .

Ky obligim i kahershëm për autoritetet e Kosovës buron pikërisht nga Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por Kosova refuzon ta zbatojë atë.

Peter Stano sot sërish i ka bërë thirrje Prishtinës në emër të BE-së që ta respektojë këtë dispozitë të marrëveshjes.

Është obligim i qartë që Kosova ta themelojë menjëherë këtë komunitet, është obligim ligjor dhe moszbatimi i vazhdueshëm cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës“, tha sot Stano.

BE i vlerëson tensionet e ditëve të fundit si një “përshkallëzim të rrezikshëm” që kërcënon “punë shumëvjeçare” dhe do të ketë pasoja për të dy vendet dhe për të gjithë rajonin./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu