Bekim Sali godet deklaratën e ministres serbe: Retorikë e rrezikshme që nuk duhet toleruar

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë dhe ministri i Çështjeve Evropiane, Bekim Sali, ka dënuar ashpër deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila ka shprehur mbështetje për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.

Ja reagimi i tij i plotë:

E dënoj me ashpërsinë më të madhe deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila ka shprehur hapur mbështetje për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Një gjuhë e tillë nuk mund të relativizohet si mendim personal, retorikë politike ose interpretim historik. Spastrimi etnik është krim dhe një nga plagët më të rënda të historisë së afërt të rajonit tonë. Andaj çdo përpjekje për ta arsyetuar, glorifikuar ose paraqitur atë si një mundësi të humbur është moralisht e papranueshme dhe politikisht e rrezikshme.

Kosova është shtet sovran, demokratik, i pavarur dhe i pranuar nga bota demokratike, andaj asnjë deklaratë kërcënuese, asnjë projekt politik dhe asnjë aleancë e vjetër nuk mund ta cenojë lirinë, pavarësinë dhe të drejtën e popullit të Kosovës për të vendosur për të ardhmen e vet.

Aleksandar Vuçiqi, miku i Ali Ahmetit në projektin “Open Balkan”, ka ndjekur një qasje politike që është parë si cenim i interesave shtetërore të Kosovës. Por, sot bëhet edhe më e qartë se Kosova duhet ta mbrojë me vendosmëri sovranitetin e saj dhe të mos lejojë rikthimin e politikave që në të kaluarën kanë sjellë konflikt, dhunë dhe vuajtje.

Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vlerat europiane, respektimin e të drejtave të njeriut dhe përpjekjet për paqe e stabilitet në rajon.
E ardhmja e vendeve të Europës Juglindore duhet të ndërtohet mbi synimin e integrimit në BE, mbi drejtësinë, respektin e ndërsjellë dhe barazinë mes shteteve sovrane, e jo mbi kërcënime, mohime dhe nostalgji për politikat që sollën luftë dhe shkatërrim.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu