Bekim Sali: Vepra, jo fjalë, zgjidhet përfundimisht çështja e statutit të UNT-së dhe themelohen tre fakultete të reja

Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali, ka njoftuar se Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke mundësuar funksionalizimin dhe zyrtarizimin e tre fakulteteve të reja.

Postimi i plotë:

“VEPRA, JO FJALË — ZGJIDHJE PËRFUNDIMTARE PËR STATUTIN E UNT-SË DHE THEMELIMIN E TRE FAKULTETEVE TË REJA NË UNT

Sot, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, u miratuan ndryshimet dhe plotësimet në Statutin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke i dhënë zgjidhje përfundimtare një çështjeje të rëndësishme që për vite me radhë ka penguar funksionimin e plotë institucional të universitetit.

Me 59 vota “PËR” dhe asnjë votë kundër, u konfirmua mbështetja e gjerë për konsolidimin dhe avancimin e UNT-së. Këto ndryshime mundësojnë funksionalizimin dhe zyrtarizimin e Fakultetit Juridik, Fakultetit Ekonomik dhe Fakultetit të Shkencave Humane, në përputhje me standardet ligjore dhe nevojat reale të studentëve.

Ky vendim nuk është vetëm një sukses institucional, por një fitore për arsimin e lartë shqip, për studentët dhe për të ardhmen e brezave të rinj. UNT-ja sot hyn në një fazë të re zhvillimi, me themele më të forta, stabilitet më të madh dhe perspektivë më të qartë akademike.

Universiteti “Nënë Tereza” vazhdon të jetë një shtyllë e rëndësishme e dijes, shkencës dhe avancimit të arsimit në vendin tonë.” – ka shkruar Sali./InfoShqip.com/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu