Profesori amerikan, Alon Ben-Meir ka folur edhe njëherë në Facebook lidhur me ndikimin e presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan në Ballkanin Perëndimor dhe posaqërisht lidhur me Kosovën.
Ben-Meir nëpërmjet 3 postimeve në dy ditët e fundit ka komentuar lidhur me agjendën e presidentit të Turqisë për Ballkanin Perëndimor dhe për Kosovën e gjithashtu edhe për qëndrimin e tij se po do të ndihmojë në njohje të reja për Kosovën.
Profesori amerikan thotë se presidenti turk duhet të fokusohet në ndihmën në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, sepse mund të ndikojë në këtë çështje nëse dëshiron.
Sipas tij, Erdogan përpara se të mendojë që t’i shtojë njohje Kosovës, duhet fillimisht të fokusohet të normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë si çështje me rëndësi parësore.
“Nëse Erdogan dëshiron të ndihmojë për Kosovën, ai duhet të ndërmjetësojë me ndershmëri midis Kosovës dhe Serbisë, pasi ai definitivisht është në gjendje ta bëjë këtë nëse do. Por ai gjithmonë dëshiron diçka në këmbim. Unë nuk po sygjeroj që ai, në fakt, mund ta bindë Serbinë ta njohë Kosovën, por ai patjetër mund të luaj rol mbështetës nëse dëshiron. Kjo është ajo në të cilën ai duhet të përqëndrohet, në vend që të përpiqet të takohet me Presidentin Biden dhe të bëjë një punë të madhe nga fushata në favor të njohjes së Kosovës. Fushata është e mirë, por fokusi është ajo që ka rëndësi dhe mbetet për t’u parë nëse ai është i gatshëm të përqëndrohet në përpjekjen për të ndërmjetësuar një lloj marrëveshjeje njohjeje midis Serbisë dhe Kosovës. Unë nuk mendoj se ai mundet, por çdo përpjekje në atë drejtim duhet të jetë e mirëpritur nga kudo”, tha Ben-Meir.
Gjithashtu, Ben-Meir është shprehur se administrata Biden është mbështetëse për Kosovën dhe kjo është e rëndësishme, por sipas tij, nëse Erdogan dëshiron të tregojë mbështetje dhe dëshiron të punojë me Biden është pozitive. Por, sipas Ben-Meir, Erdogan ka një agjendë të tij politike dhe nuk bën asgjë për t’i ndihmuar vendet tjera, përveçse nëse kjo i ndihmon atij.
“Ne e dimë që administrata Biden është shumë, shumë mbështetëse për Kosovën, gjë që është shumë e rëndësishme. Nëse Erdogan dëshiron të tregojë se është gjithashtu mbështetëse e Kosovës në njëfarë mënyre dhe dëshiron të punojë me presidentin e Shteteve të Bashkuara për këtë qëllim, kjo është krejtësisht mirë. Por, Erdogan gjithmonë do të ketë agjendën e tij politike dhe ai nuk bën asgjë për të ndihmuar Kosovën ose ndonjë vend tjetër, përveç nëse kjo i ndihmon vetës. Çdo qeveri kosovare duhet të jetë shumë e kujdesshme në trajtimin e Turqisë, sepse Erdoganit nuk mund t’i besohet”, ka shkruar Ben-Meir.
Në fund, Ben-Meir gjithashtu është shprehur se është e mirëpritur një fushatë e Erdogan për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por ai shpreh dyshime për qëllimet “e vërteta” të kësaj fushate.
Sipas tij, Erdogan është “nacionalist islamik” dhe dëshiron të promovojë vetëm agjendën e tij.
“Kushdo që mbështet ose bën fushatë për njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës është më se i mirëpritur. Sidoqoftë, kam dyshime serioze për qëllimet e vërteta të Erdogan. Presidenti Erdogan është narcist dhe nacionalist islamik i zhytur në vetvete, i cili dëshiron vetëm të promovojë agjendën e tij. Duhet t’i them drejtpërdrejt popullit të Kosovës, është absolutisht në rregul të kesh marrëdhënie të shkëlqyera me Turqinë. Por, qeveria e Kosovës nuk duhet t’i nënshtrohet trillit të Presidentit Erdogan dhe agjendës së tij islame: ky do të jetë një gabim”, ka shkruar Ben-Meir.
Ben-Meir është një profesor amerikan i cili ka artikuluar vazhdimisht pikëpamjet e tij lidhur me probleme të ndryshme midis shteteve siç është edhe çështja e Kosovës dhe Serbisë.









