Berisha komenton mini-Shengenin që po bisedohet në Serbi: Si pakti Tito-Enver, dëmet për Kosovën (FOTO)

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar Shengenin Ballkanik. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, Rama dhe Vuçiç dështuan në perspektivën evropiane, po bëjnë një pakt si Tito dhe Enveri për bashkimin doganor.

“Ky akt, i cili përveçse vendos Shqipërinë në ombrellën politike të Serbisë dhe e largon nga ajo e Brukselit ka dy pasoja të rënda direkte mbi shqiptarët.

Së pari izolon dhe vështireson Kosovën në qëndrimet e saj të drejta ndaj Beogradit.

Së dyti shkaterron përfundimisht prodhimin bujqësor të Myzeqesë dhe të gjithë ultësirës bregdetare dhe fushës së Korçës, të cilat në kushte tejet të pabarabarta duhet të përballen me vërshimin masiv të prodhimeve bujqësore të Serbisë nëpërmjet klaneve mafioze të Rames dhe klienteles së tij,”-shkruan Berisha në Facebook.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas takimit në Novi Sad me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se është nënshkruar deklarata e përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiç tha se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime.

Ai tha se me masa “më konkrete” të zbatimit të kësaj nisme, përfaqësuesit e tri vendeve do të dalin në takimin e ardhshëm, që do të mbahet në Ohër, më 10 nëntor.

Rama, në anën tjetër, tha se çështjet e hapura midis vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i pengojnë marrëveshjet për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Zaev tha se Maqedonia e Veriut e mbështet nismën, sepse “duhet të bëhet shumë më tepër për përafrimin ekonomik”./Opinion.al/

Foto:

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu