Bërnabiq: Po tentoni të na bindni të dialogojmë pa heqjen e taksës, por kjo nuk do të ndodh

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq ka deklaruar në Beograd se heqja e taksave të Kosovës ndaj prodhimeve të Serbisë është “minimumi i minimumit” për vazhdim të dialogut me Kosovën dhe se nuk pret shumë nga takimi i ardhshëm në Berlin.

“Nuk pres shumë nga takimi në Berlin, ne jemi ftuar, do të dëgjojmë çfarë kanë për të na thënë”, ka thënë Bërnabiq sot në Beograd.

Në takimin e Berlinit më 29 prill do të marrin pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë të lartë të BE, ndërsa Kosovën dhe Serbinë do t’i përfaqësojnë presidentët dhe kryeministrat.

Bërnabiq ka thënë se nuk mendon se në atë takim do të prezantohet për Serbinë ndonjë zgjedhje e gatshme dhe nuk mendon se një ambicie e tillë ekziston.

Ajo ka pretenduar se tentimet eventuale që të ndryshohet formati i negociatave në mes të Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që Serbia të detyrohet të ulet në tryezën e bisedimeve pa heqjen e taksave kosovare, do të jenë të pasuksesshme.

Kryeministrja e Serbisë ka vlerësuar se Kosova nuk do kompromis dhe ka shtuar se këtë e ka treguar me miratimin e Platformës, e cila, siç ka thënë ajo, “është e drejtuar kundër dialogut”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu