Besa e Gashit akuzë të rëndë drejt Bilall Kasamit

Lëvizja BESA e krahut të Afrim Gashit e ka akuzuar Bilall Kasamin se ka falsifikuar dokumente në periudhën pas zgjedhjeve lokale të 15 tetorit. Orhan Murtezani tha se posedojnë dëshmi se Kasami ka dorëzuar në Gjykatën e Shkupit emra të rrejshëm për kryetarë degësh të partisë, sipas tij, me çka ka dashur që të krijojë shumicë fiktive në Këshillin qendror të partisë.

“Ne kemi hulumtuar në dosjen e Lëvizjes BESA në gjykatë dhe kemi gjetur të ashtuquajtura dokumente që ish-kryetari i ka falsifikuar. Në fakt menjëherë pas mbarimit të zgjedhjeve lokale, atëherë kur ai e bllokonte funksionimin e partisë, ndërsa ne e lusnim që të gjejë një zgjidhje kompromisi, ai e kishte filluar vazifen dhe kishte punuar fshehurazi. Ai kishte deponuar në Gjykatën e Shkupit emra të falsifikuar për kryetarë të degëve, me çka ka dashur të krijojë shumicë fiktive brenda në Këshillin qendror”,- tha Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i krahut të Bilall Kasamit. Në një kumtesë me shkrim thuhet se Lëvizja BESA po merret me organizimin e kongresit dhe jo me shpifjet dhe mashtrimet e Orhan Murtezanit.

“Të gjitha strukturat e Lëvizjes BESA janë të fokusuara në organizimin e Kongresit të parë të partisë dhe nuk do humbim energji me çdo shpifje që po mundohen të bëjnë poltronët e paguar që punojnë për gjithçka por jo edhe për interesat e shqiptarëve të Maqedonisë”,- thuhet në reagimin me shkrim të Lëvizjes BESA që udhëhiqet nga Bilall Kasami.

Nga krahu i Gashit paralajmëruan shpalosjen e të tjera dokumenteve, siç deklaruan, të falsifikuara, ndërsa për rastin thanë do të paraqesin kallëzim penal.

Ata ndërkohë i quajtën spekulime zërat për bashkëpunimin me PDSh-në, por thonë se do të angazhohen për ndërtimin e urave të komunikimit me të gjitha partitë politike dhe veçmas me partitë opozitare të bllokut shqiptar. (Naim Ramadani, TVM2)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu