Besa e Kasamit në rrezik, Xhaferri i jep ultimatum deri të premten

Lëvizja Besa rrezikon të humbasë grupin parlamentar pas përçarjes së krijuar. Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, pranon se deputetët e kësaj partie janë të ndarë në dyshë dhe është koshient për rrezikun që i kanoset grupit parlamentar.

“Mirëpo praktikisht opinioni publik është i njoftuar, se kemi pasur telashe apo probleme të brendshme të cilët janë manifestuar në funksionimin e grupit parlamentar, ajo që është politikë e Lëvizjes Besa dhe orientimi strategjik. Ne jemi parti opozitare dhe dy deputetë, unë dhe Teuta Bilalli, jemi përcaktuar rreth kësaj situate, kemi tre kolegë tanë që kanë funksionuar veçmas nga struktura partiake e Lëvizja Besa dhe mbetet që të deklarohen ata nëse janë pjesë grupit parlamentar të Lëvizjes Besa”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes Besa.

E nga krahu i Gashit, thonë se do të gjejnë zgjidhje pas rikonstuimit të Qeverisë.

“Kryetari Afrim Gashi është koordinator i grupit parlamentar të Lëvizjes BESA dhe në ketë drejtim nuk ka rendësi çfarë thonë te tjerët. Pas përmbylljes së rikonstruksionit të qeverisë do gjejmë zgjidhje edhe për grupin parlamentar”, tha nga Lëvizja Besa, krahu i Gashit.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi u jep ultimatum deputetëve të Lëvizjes Besa, që t’i orientojnë deputetët e tyre, a do të jenë në Qeveri, apo në opozitë, dhe se kjo situatë, sipas tij, do të duhet të mbarojë më 1 qershor, atëherë edhe kur pritet rikonstruimi i qeverisë.

“Dita e premte, zgjedhja e anëtarëve të qeverisë, do të nënkupton pozicionimin e dy besave, se si do të jetë sa u përket partive. Nga e premtja e tutje nuk do të mundet në formë hipotetike të funksionojë si grup parlamentar e nga ana tjetër të kenë kundërthënie brenda grupit parlamentar. Do të duhen ta definojnë statusin e vet. Unë komunikoj me të gjithë deputetët, por mbi të gjitha duhet ata vetë të tregojnë statusin, ta proklamojnë para meje siç e sheh rregullorja”, tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Ndryshe, Lëvizja Besa që nga janari i këtij viti është ndarë në dy fraksione, ata që e duan për kryetar Bilall Kasamin dhe të tjerët që e duan për kryetar Afrim Gashin. Me vendim gjykate, Besa e Kasamit e cila ka 2 deputetë u shpall legjitime, por Besa e Gashit ka tre deputetë.

Përgatiti: Zimer Jashari


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu