Një letër e nënshkruar nga 56 deputetë nga Europa dhe SHBA i është dërguar Brukselit, Washingtonit dhe Londrës me kërkesën për të pasë një politikë balancuese ndaj Kosovës dhe Serbisë. Në letër këto fuqi kritikohen për anim kah Beogradi.
Bashkimi Europian ka konfirmuar se ka pranuar letrën, por thotë se nuk e komentojnë “korrespodencën e Borrellit”.
“Si rregull i përgjithshëm, ne nuk komentojmë në publik korrespondencën e marrë nga Përfaqësuesi i Lartë nga bashkëbisedues të ndryshëm. Nëse aktorët përkatës i shkruajnë Përfaqësuesit të Lartë , ai përgjigjet përmes kanaleve përkatëse, ne nuk bëjmë korrespondencë në media. Këtë letër të veçantë nga 56 deputetë nga disa shtete anëtare të BE-së dhe disa vende të tjera, mund të konfirmojmë se Përfaqësuesi i Lartë sapo e ka marrë atë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano thotë se politika e jashtme e BE-së është unanime, duke shtuar se Unioni numëron mijëra parlamentarë.
“Kujtojmë se BE-ja ka 27 shtete anëtare me 27 parlamente dhe mijëra parlamentarë. Politika e jashtme dhe qasjet e BE-së ndaj partnerëve janë formuar nga 27 shtete anëtare të përfaqësuara nga qeveritë e tyre, në unanimitet. BE-ja është një lehtësues neutral në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.
BE-ja thotë se vlerëson angazhimin e palëve në dialog bazuar në meritat e tyre individuale dhe raporton tek shtetet anëtare.
BE-ja shtoi se u ka bërë kërkesa të dyja palëve për të zgjidhur tensionet aktuale dhe për të mundësuar vazhdimin e procesit të normalizimit.
Po ashtu, Stano tha se Bashkimi Europian është duke monitoruar Serbinë nëse po i përmbush kërkesat dhe se është e gatshme të marrë masa në rast se ato dështojnë.
“Shtetet anëtare konsultohen për veprimet e BE-së dhe BE-ja bashkëpunon ngushtë me partnerët e saj, veçanërisht me SHBA-në. BE-ja aktualisht po monitoron nga afër përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Serbia dhe është e gatshme të marrë masa në rast të mospërputhjes me këto kërkesa”.
Pas vendosjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara për shkak të tensioneve të ngritura në veri të vendit me vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale u shtuan zëra kritikë për njëanshmëri meqë ndaj Serbisë s’u ndërmor asnjë masë ndëshkuese.
Deputetja britanike, Alicia Kearns, e cila në vazhdimësi ishte më e zëshmja për këtë çështje, ka publikuar letrën që i është dërguar sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly.
“Qasja aktuale nuk po funksionon. Ne kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtar që të mësojë nga e kaluara jonë dhe të sigurohemi që ne nuk do të miratojmë politika për Ballkanin që anojnë nga Beogradi. Ne po ashtu u kërkojmë që të shqyrtoni mundësinë e miratimit të një politike të diplomacisë parandaluese për të shmangur përshkallëzim të mëtejmeë të situatës së sigurisë dhe asaj politike në veri të Kosovës, me balancë dhe proporcionalitet në çdo deklaratë dhe çdo ndëshkim apo sanksion që ndërmerret, dhe që ata të cilët respektojnë sundimin e ligjit dhe demokracinë të mos ndëshkohen”, u tha ndër të tjera në letër.