Komisari evropian për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi Dimitris Avramopulos sot nga Tirana paralajmëroi se ekziston mundësia për rikthimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, nëse migrimi rritet për mbi 50 për qind.
“Ne e ndjekim situatën për të gjitha vendet, e jo vetëm për Shqipërinë. Rreziku nga emigrimi ilegal duhet të ulet. Mekanizmi i pezullimit të vizave nuk është vënë në lojë, por nëse ka një rritje të emigrimit me mbi 50 të emigrimit të paligjshëm dhe ka refuzim të kthimit në vendlindje atëherë ekziston edhe kjo mundësi, u përgjigj Avramopulos, i cili në Tiranë merr pjesë merr pjesë në takimin ministror të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Sipas Avramopulosit, kthimi i regjimit të vizave është i mundur dhe nëse ekziston kërcënim për sigurinë nga aktivitete terroriste.
“Për momentin nuk ka problem, por e ndjekim situatën”, tha Avramopulos.
Në takimin ministror dyditor të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është dakordësuar bashkëpunim për menaxhim me kufijtë, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.










