Buffon për kartonin e kuq në Madrid: Momenti më krenar, dikush e goditi gjyqtarin, por nuk isha unë

Legjenda e Juventusit, Gianluigi Buffon, e ka përshkruar çerekfinalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2018 ndaj Real Madridit si momentin më krenar në karrierë.

Në atë ndeshje, portieri u përjashtua me karton të kuq, ndërsa ka thënë se dikush tjetër e kishte goditur gjyqtarin Michael Oliver, kurse ai u ndëshkua.

Zonja e Vjetër kishte humbur me rezultat 3-0 në shtëpi në sfidën e parë, ndërsa bëri një performancë heroike në Santiago Bernabeu duke shënuar po aq gola, deri në çastin kur Realit iu dha penallti në minutat shtesë.

Buffon u përjashtua me karton të kuq për reagimin e tij, ndërsa Cristiano Ronaldo realizoi nga pika e bardhë për t’i dërguar Los Blancos në gjysmëfinale (që më vonë edhe e fituan trofeun).

“Madridi në vitin 2018 është ndeshja në të cilën jam më së shumti krenar, edhe pse akoma nuk e kuptoj pse gjyqtari, Oliver, më përjashtoi”.

“Unë nuk e ofendova dhe mendoj se njëri nga bashkëlojtarët e mi i dha një ose dy goditje në brinjë, por nuk isha unë, ndërsa unë mora të kuq!”, ka deklaruar Buffon për La Stampa.

Gjatë kohës sa luajti te Juventusi, portieri italian arriti në tri finale të Ligës së Kampionëve, mirëpo nuk e fitoi asnjërën. /Telegrafi/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu