Lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Canak, një prej politikanëve të rrallë serbë që pranon si fakt pavarësinë e Kosovës reagoi pasi presidenti serb Vucic tha se ky flet pa argument për varreza masive të shqiptarëve nëpër serbi. Canak e quajti një autokrat nacionalist presidentin serb dhe përsëriti se që nga viti 2000 e dinin për 16 varreza masive të shqiptarëve. Ai vlerësoi po ashtu se sipas tij se zgjidhjet që po paraqet Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thjeshtë nuk janë të mundshme në këto rrethana dhe këshilloi që të niset nga diçka e arritshme.
Në intervistën për gazetën serbe Danas, Nenad Canak foli edhe për vizitën e tij në Kosovë dhe takimin me kryeministrin kosovar Albin Kurti. Ai pohoi po ashtu se pajtohet me qëndrimin e Kurtit se Veljko Odalovic nuk do të duhej të kryesonte komisionin e qeverisë serbe për të pagjeturit. Ai tha se Odalovic nuk do të kalonte procesin e lustrimit që ishte propozuar në fillim të shekullit.
Nga Danas politikani nga Vojvodina u pyet për qëndrimin e Kurtit rreth dialogut për njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë që në start të rifillimit të dialogut.
“Albin Kurti gëzon popullaritet të theksuar në Kosovë, posaçërisht mes të rinjve që janë të lodhur nga negociatat e pafundme dhe shterpe që në shumicën e kohës janë edhe të pasinqerta. Megjithatë, zgjidhjet e tij që në shikim të parë e të shpejtë janë të kuptueshme për këdo thjeshtë nuk janë të mundshme, e as nuk do të lehtësojnë jetën e qytetarëve të thjeshtë e as nuk do të zbusin tensionet në përditshmëri. Politika është matematika e të mundshmes, e njohja e ndërsjellë tani për tani nuk është e mundshme. Duhet nisur nga ajo që është e mundur, e që është përpjekja e përbashkët e gjetjes së 1632 personave të zhdukur dhe gjetjes së varrezave masive duke zbardhur rrethanat që sollën deri tek to. Besoj se shumë gjëra do të nisnin të bëheshin më të thjeshta kur më shumë njerëz do të vinin të themi në Prishtinë dhe ta shohin sa ka përparuar ky qytet në dekadat e kaluara e të thyhej frika e kontaktit, posaçërisht mes të rinjve që kuptohen shumë mirë mes vete kur flasin anglisht”.
Canak u pyet edhe rreth qëndrimit të kryeministrit kosovar Kurti nuk dëshiron të zbatoj siç i ka quajtur marrëveshjet e këqija mes Serbisë dhe Kosovës që janë nënshkruar deri tani dhe se po duron presionin e SHBA dhe BE për këtë. “A besoni se misioni i tij ka ndonjë gjasë të ketë sukses?” u pyet ai.
“Sinqerisht flas se nuk e kuptoj se çfarë misioni mund të ishte ai, por është mase e sigurt se me dhunë dhe me prova të detyrimit nuk do të arrihet asgjë e qëndrueshme dhe e mirë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që në Kosovë bëhet fjalë për shtresa problemesh të mbledhura që nuk do të hiqen nga asnjë shkop magjik. E vetmja rrugë drejt paqes së përhershme është durimi, këmbëngulja dhe gatishmëria për mos pasje suksesi. Me vendosmërinë që të provohet përsëri e përsëri.”
Canak edhe në këtë intervistë përmendi se që nga 2004’ta vazhdon t’jua kujtoj publikut takimin e asokohe Opozitës Demokratike të Serbisë (DOS) në të cilin ish ministri i policisë Dusan Mihajlovic bëri të ditur informacionin për 16 varreza masive.
“Që nga atëherë e deri sot kam përfaqësuar dhe vazhdoj të përfaqësoj qëndrimin se nuk duhet të ketë asnjë arsye që atë të fshihen dhe të heshtën krimet e kujtdo ndaj kujtdo. E posaçërisht krimet e regjimit të Slobodan Milosevic të cilin e kam luftuar pa kompromis gati më shumë se një dekadë” tha Canak.









