Çanaku për televizionin serb: Për mua Kosova është shtet i pavarur

Kryetari i Lidhjes së Socialdemokratëve të Vojvodinës (LSV), Nenad Çanak, deklaroi se ai personalisht mendon se “Kosova është shtet i pavarur”. Çanak tha për televizionin serb “Happy” se ky është “mendim imi personal” dhe se të gjithë mund të binden për të njëjtën gjë “nëse shkoni në Gjakovë”.

“Nëse shkoni në Gjakovë, atëherë shihni se ata kanë policinë e tyre, gjyqësorin e tyre, një sistem policor që funksionon”, tha Çanaku.

Ai tha se për shkak të një qëndrimi të tillë “nuk e konsideroj veten tradhtar”.

Sikur të kishte referendum në kohën e Galileut – nëse toka është e sheshtë, 99 për qind do të thoshin po, por kjo nuk do të thotë që toka është e sheshtë, por që njerëzit mendojnë kështu”, tha Çanaku, duke komentuar qëndrimet që mbizotërojnë për Kosovën ndër qytetarët e Serbisë.

Çanaku tha se pas bisedave që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai arriti në përfundimin se pikëpamjet e tij “në disa sfera, për të cilat ai flet, janë të vërteta, ndërsa në disa sfera tjera ato janë konstrukte politike”.

Nuk është saktësisht bardhezi. Por të mbyllësh sytë, të mos shohësh në mënyrë atdhetare se çfarë është realiteti, nuk është politikë e mirë”, tha Çanaku.

Nenad Çanak qëndroi në Kosovë në fillim të korrikut të këtij viti. Me vete ai kishte marrë edhe nipin dhe të birin, për t’ua treguar historinë e vendit tonë. Gjatë gjithë vizitës së tij treditore në Kosovë, Çanaku, 61-vjeçar, ishte nën përcjellje të policisë së Kosovës.

Çanaku vizitoi edhe varrezat e civilëve shqiptarë të ekzekutuar në Meje dhe Korenicë. Në njoftimin e partisë së tij në Twitter thuhej se në fshatrat Meje dhe Korenicë, më 27 dhe 28 prill 1999, janë ekzekutuar së paku 377 civilë, në mesin e tyre edhe një vajzë shtatëvjeçare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu