Çfarë pritet të sjellë takimi i fundit i Angela Merkel me liderët e Ballkanit Perëndimor?

Pas 7 vitesh mund të thuhet se nuk ka shumë përparime, kështu që as kjo konferencë nuk pritet të sjellë ndonjë rezultat të prekshëm, veçse të riprodhojë vetveten dhe të deklarohet sërish mbështetja për rrugën europiane të 7 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Zyrtarë të lartë të CDU/CSU kanë deklaruar se “Formati, në të cilin do të vijojë trashëgimia e kancelares pas largimit të saj nga detyra, vjeshtën e këtij viti, do të njoftohet përfundimisht pas takimit të Merkel me homologët e saj, por mesazhi që do të dalë nga ky takim është i qartë: “Ai do të ritheksojë perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE dhe do të konfirmojë vijimësinë e Procesit të Berlinit”.

Ekspertët thonë se në Ballkan ky proces nuk ka ndonjë imazh të mirë, madje shumë e cilësojnë thjesht një mundësi që liderët e rajonit të takohen me udhëheqës të Bashkimit Europian. Ndërsa në jetën e përditshme të qytetarëve rezultati i prekshëm ka qenë heqja e tarifave ‘roaming’ prej datës 1 korrik.

Për organizatorët, ky proces ka sjellë më shumë. Ata vlerësojnë se “infrastruktura e transportit dhe energjisë është zgjeruar në shtatë vitet e fundit dhe është lidhur me korridoret e BE-së. Ndërsa krijimi i Zyrës Rajonale të Rinisë, që ka bashkuar të rinjtë e rajonit, është një zhvillim i orientuar drejt së ardhmes”.

Ndërkaq, nuk ka rezultate për sa i përket tregut të përbashkët rajonal, që synon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Një vit më parë konferenca për këtë proces u mbajt në Sofje, dhe kancelarja Merkel bëri thirrje për pajtim mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjë që nuk ndodhi. Në takimin e së hënës mesazhi pritet të jetë i njëjtë: Pajtohuni, kësaj here shkon për Kosovën dhe Serbinë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu