Cili është vendi ku do jenë bashkë Biden dhe Putin

Presidentët e Rusisë dhe Kinës, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, do të marrin pjesë në samitin e G20 në nëntor, njoftoi presidenti i Indonezisë, i cili mban presidencën e rradhës të forumit të ekonomive të mëdha.

Në takim pritet të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Joe Biden, në një kohë kur marrëdhëniet e Uashingtonit me Pekinin dhe Moskën janë në nivelin më të ulët, për shkak të tensionit në Tajvan dhe luftës në Ukrainë.

Nuk ishte e sigurt që Putin dhe Xi do të udhëtonin në Bali për të marrë pjesë në samit. Moska është izoluar për shkak të pushtimit të Ukrainës, ndërsa udhëheqësi kinez ka kufizuar udhëtimet jashtë vendit për shkak të Covid-19.

Megjithatë, presidenti indonezian Joko Widodo tha në një intervistë me Bloomberg se të dy do të marrin pjesë. “Xi Jinping do të vijë, presidenti Putin gjithashtu më tha se do të vijë,” tha ai.

Në qershor, Kremlini njoftoi se Putini kishte pranuar ftesën e Widodo, me kushtin që shëndeti i tij për shkak të pandemisë do ta lejonte atë të merrte pjesë personalisht.

Joe Biden do të shkojë gjithashtu në Bali, por Shtëpia e Bardhë nuk ka konfirmuar detaje të udhëtimit, apo nëse ai do të takohet personalisht me Xi. Një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha vetëm se “nëse Putin vjen në G20, atëherë duhet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky”.

Edhe pse Ukraina nuk është anëtare e G20-ës, Zelensky është ftuar nga Indonezia dhe ka thënë se do të marrë pjesë, ndonëse përmes lidhjes video.

Xhakarta ka qenë nën presionin e Perëndimit për të përjashtuar Putinin nga samiti, por po mban një qëndrim neutraliteti. Në fillim të vitit, Joko Widodo vizitoi Kievin dhe Moskën.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike tha se “Rusia nuk ka të drejtë morale të marrë pjesë” në takimin e G02 “për sa kohë që agresioni i saj në Ukrainë vazhdon”.

“Ne mirëpresim përpjekjet e Indonezisë për të siguruar që pasojat e luftës së Rusisë të diskutohen në takimet e G20, si dhe indikacionet se Ukraina mund të përfaqësohet nga Presidenti Zelensky”, shtoi ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu