“Çmimet”, qumështi në Maqedoni më i shtrenjtë se në Evropë

Çmimet e ushqimeve kanë marrë përpjetën, duke bërë që çdo mëngjes familjet të diskutojnë nëse dhe çfarë mund të përballojnë nga shpenzimet ditore. Ndërkohë që ata ankohen me shqetësim, nëpër raftet e marketeve vazhdojnë të ndryshojnë etiketat ku në çmimet e reja vazhdimisht shtohet ndonjë denar tek ushqimet bazë të shportës konsumatore.

Për çmime të larta vendi ynë po u bën konkurrencë atyre evropiane, pavarësisht se të ardhurat mujore janë më të ulëta. 1 Litër qumësht nëpër marketet e vendit shitet nga 95 denarë apo 1.54 € , ka edhe më të shtrenjtë edhe pak më të lirë. Të dhënat tregojnë se qytetarët e Berlinit, rroga neto e të cilëve arrin deri në 3200 euro, qumështin e paguajnë 1.04€, pra më pak se qytetarët tanë.

Në Bazel ku rroga mesatare neto është 6 mijë euro, qumështi kushton 1.73€, apo 0.19 cent më shumë se në vendin tonë ku rroga mesatare neto është rreth 500 euro. Të dhënat tregojnë se shporta konsumatore për 4 persona edhe në disa nga qytetet evropiane që morëm shembull tejkalon rrogën mesatare neto të një personi, por kuptohet se jeta bëhet më e lehtë kur në familje ka më shumë se një anëtarë të punësuar. Në Kopenhagë të Danimarkës, rroga mesatare neto është 3511 euro, ndërsa shpenzimet mujore pa llogaritur qiranë arrijnë në 3691 euro. Rroga mesatare neto në vendin tonë gjatë muajit shtator, sipas Entit të Statistikave, është rreth 500 euro, ndërsa shporta konsumatore 779.

Indeksi i cilësisë së jetës në vendin tonë rezulton të jetë i ulët, ndërsa indeksi i cilësisë së jetës në Gjermani rezulton të jetë shumë i lartë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu