Conte i fiksuar pas Lukakut, e do me çdo kusht te Interi

Është Romelu Lukaku objektivi i madh i Antonio Contes për sulmin e Interit. Edhe pse ende nuk është zyrtarizuar si timonieri i ri i skuadrës zikaltër, marrëveshja tashmë është arritur dhe Conte po projekton ekipin e sezonit të ardhshëm. Ish-trajneri i Chelseat është i fiksuar pas sulmuesit belg madje Conte e donte me çdo kusht Lukakun edhe te Blutë e Londrës, por në atë periudhë ai zgjodhi transferimin te Manchester United. Sezoni i fundit nuk ka qenë shumë pozitiv për sulmuesin 26-vjeçar me Djatë e Kuq dhe largimi është zgjedhja më e mirë që Lukaku mund të bëjë për karrierën e tij.

Vlera e tij në merkato ka rënë në rreth 50-60 milionë euro dhe Interi ka gati ofertën që mund të bindë Djajtë e Kuq. 30 milionë euro “cash” plus kartonin sulmuesit kroat Ivan Perisic i cili gjithashtu vlerësohet 30 milionë euro nga klubi zikaltër, ndërkohë që Manchester United kur kishte Jose Mourinhon në stol e ka kërkuar për dy vite rresht. Tashmë kushtet janë “pjekur” dhe mundësitë e këtij operacioni merkatoje janë më reale se kurrë. Por nëse afron Lukakun Interi nuk do të heqë dorë nga Edin Dzeko pasi duke parë skemën 3-5-2 që aplikon mësëshumti trajneri Antonio Conte, ai ka nevojë të ketë në skuadër minimalisht 4 qëndërsulmues.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu