Shefi i deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se është mirë që të gjithë të heqin dorë nga kushtëzimi për postin e kryeministrit. “Sa do që është i mirë një individ nuk është superman. Koha e tyre ka kalu”, ka thënë Sejdiu, teksa ka folur për Albin Kurtin e Vetëvendosjes. Sipas tij, hisedar në këtë gjendje të keqe në Kosovë nuk është vetëm PDK-ja.
“E kemi një bashkëqeverisje 15 vjeçare me LDK-në”, ka thënë Sejdiu.
Një koalicion me LDK-në ai nuk e ka përjashtuar, por ka thënë se ai duhet të jetë mbi bazën e programeve. Ka folur edhe për AAK-në e Ramush Haradinaj. “Ne me Aleancën kemi dy mandate bashkëpunim. Po ashtu kryeministri ka iniciuar çështje në Kuvend të cilat nuk i ka iniciuar as ish-kryetari i Prishtinës. Nuk duhet me fsheh që kemi raporte të mira me Prishtinën. Por edhe me Aleancën kemi dallime programore”, ka thënë Sejdiu.
Ai ka bërë thirrje për një bashkim të të majtës.
“Është ajo që po e them, po nuk po merrem seriozisht si duket, është bashkimi i bllokut të majtë, PSD-VV-Nisma. Të dalim para votuesve me program të majtë”, ka thënë Sejdiu, që megjithatë ka thënë se pret që diskutimi për të majtën do të duhej të jetë debat pas 20 vjetësh.
“Megjithatë, do të ishte me interes që në këto zgjedhje të futemi pak më thellë në aspekte programore”, ka thënë ai.
“Versioni më real është që të garojmë vetë. Do të jetë një garë e vështirë, por unë jam tepër optimist se edhe do t’ia dalim edhe do të befasojmë”, ka thënë Sejdiu.
“Për dallim prej të tjerëve popullzimin nuk e kemi armë për të mbledhur tifozë, por e kemi politikën publike”, ka thënë më tej ai.
Sejdiu ka thënë se, sipas matjeve të tyre, PSD-ja aktualisht ka gati 6 për qind të votave. Ai ka thënë se katër parti të tjera janë në majë, shumë afër njëra-tjetrës, me LDK-në që prin.
“S’jemi të parët. Jemi në garë për një numër deputetësh. Të tjerët janë të gjithë të parët. Kanë qejf. Në matjet tona është e qartë si qëndrojmë. Ka një parti të parë me diferencë të vogël. Diferenca mes të parit, dytit, tretit dhe të katërtit është e vogël. LDK del e para e të tjerët më pas. Ne jemi afër pragut, gati 6 për qind, e besojmë se do të rritemi deri në zgjedhje. Kemi qëllim të bëjmë grup parlamentar”, ka thënë ai.
Sejdiu ka shtuar se PSD-ja mban vijën e kuqe ndaj PDK-së. Për taksën ka thënë se ajo duhet të diskutohet vetëm në një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.
Më tej ai ka përmendur pesë pikat kyçe të programit me të cilin do të dalin në fushatë: Punësimi dhe ekonomia, mbrojtja sociale e të drejtat në punë, lufta anti-nepotizëm e anti-korrupsion, arsimi dhe ngritja e cilësisë, ambienti.










