Gjykata e Apelit ka dërguar vendimin e plotfuqishëm për burgosjen e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski për rastin “Tanku”. Siç njoftojnë nga Gjykata Themelore Shkupi 1, Gruevski tani ka afat maksimal prej dy javësh që të shkojë vetë të paraqitet në burg për ta vuajtur dënimin.
Gruevski ka të drejtë të kërkojë shtyerjen e vuajtjes së burgut duke theksuar arsye të forta që mund të lidhen me probleme ose obligime familjare, sëmundje ose ngjashëm.
Gruevski do të duhet të vuajë 2 vjet burg për nxitje të ish ministres së Brendshme për blerjen e Mercedesit të blinduar afro 600 mijë eurosh.
Gjykata Penale ka konfirmuar masën e dënimit edhe në procedurën e ndarë për ish-ministren e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska në rastin “Tanku”.
Penalja konfirmoi dënimin me 6 vite burg për ish-ministren Jankulloska.
Gjykata e Apelit më 5 tetor në rastin “Tanku” shqyrtoi dënimin me dy vjet burg për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski , ndërsa Gjykata e shkallës së dytë kishte ulur për dy vjet dënimin për Gjoko Popovskin, i dënuar për të njëjtën vepër.










