Albin Kurti dhe Isa Mustafa në takimin e sonte duket se i kanë përafruar qëndrimet për marrëveshjen e bashkëqeverisjes.
Kështu së paku janë deklaruar pas takimit Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
Por që gjërat kanë ecur një hapë para e ka bërë të ditur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci
“Ditë të mira po vijnë për Kosovën”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook vetëm pak orë përfundimit të takimit Kurti-Mustafa.
Ndryshe burime nga takimi mes VV-së dhe LDK-së kanë thënë për Gazetën Insajderi se Vetëvendosje ka ofruar ministrinë e Punëve të Jashtme për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe ka hequr dorë nga zv.kryeminsitri i dytë.
Duke lënë “djegur” kështu dy të propozuarit e Albin Kurtit për këto poste: Blerim Rekën dhe Haki Abazin. Ai ditë më parë ka propozuar emrat e mundshëm të qeverisjes së tij, në mesin e të cilëve kanë qenë edhe Reka e Abazi.
Përveç kësaj Vetëvendosje është bindur se presidenti duhet t’i takojë LDK-së së Isa Mustafës.
Kësisoj Albin Kurti ka menduar ta balancojë pushtetin ndërmjet dy partive.
Megjithatë, LDK po insiston që t’i marrë shtatë ministri.
Burimet kanë thënë se më i zëshmi për këtë është Agim Veliun, derisa Lutfi Haziri dhe Vjosa Osmani janë pajtuar për këtë ndarje të pushtetit ndërjmet Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.










