Deputeti i Partisë Demokratike Sllovene (SDS), Andrej Kosi, ka kundërshtuar përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet edukative në Slloveni, duke nxitur debat rreth integrimit të fëmijëve të emigrantëve.
Kosi përmendi rastin e një kopshti në qytetin Rogaška Slatina, ku pretendon se fëmijët sllovenë janë nxitur të përshëndesin në gjuhën shqipe.
“Ne nuk jemi Shqipëria, ne jemi Sllovenia”, deklaroi deputeti, duke kërkuar që emigrantët të mësojnë gjuhën sllovene dhe të respektojnë ligjet dhe kulturën e vendit.
Debati nisi në tetor, pasi një prind shprehu pakënaqësi për leximin e përrallave në gjuhën shqipe dhe përfshirjen e kulturave të tjera në aktivitetet edukative.
Ndërkohë, drejtoresha e kopshtit, Katja Potočnik, ka sqaruar se sllovenishtja mbetet gjuha kryesore e edukimit, ndërsa aktivitetet e herëpashershme në gjuhë të tjera synojnë të ndihmojnë integrimin e fëmijëve.
Kopshti frekuentohet nga 411 fëmijë, prej të cilëve rreth 10 për qind vijnë nga mjedise të tjera gjuhësore. Sipas drejtorisë, objektivi kryesor mbetet përvetësimi i gjuhës sllovene nga të gjithë fëmijët përpara fillimit të shkollimit.










