Dibra në kthetrat e terrorit

Nga: Alpin Ollogu

Qyteti i Dibrës është rikthyer përsëri në kthetrat e terrorit, grabitjeve të maskuara, torturave fizike e psikologjike, pasigurisë kolektive, për tu kurorëzuar ky terror me një prej vrasjeve më makabre të ndodhura në Ballkan e më gjerë. Tre anëtarë të një familjeje të ndershme mërgimtarësh shqiptarë, u ekzekutuan në gjumë, dy bashkëshortë dhe vajza e tyre 14 vjeçe, në mënyrë profesionale krimi. Ndërkohë vrasësi është në liri.

E theksova etnine Shqiptare të viktimave, për ta kujtuar se Dibra me shumicë të konsiderueshme shqiptare, është i vetmi vend në Republikën e Maqedonisë, në të cilin maqedonasit etnik nuk renditen as në vendin e parë e as në vendin e dytë demografikisht. Kjo e bën më të kuptueshme painteresimin e zakonshëm të pushtetit qëndror për qytetin e Dibrës, të cilin fati tragjik historik e ndau në dy Dibra, fillimisht duke e gjymtuar si trup funskionimi në të gjitha kuptimet, e së dyti, duke e shndërruar tashmë cak të sulmeve hajdute, grabitqare, me vrasje dhe plagosje, të cilët në bashkëpunim me kriminelët vendas, mund të vijnë dhe ikin lehtësisht nga vendbanimet matanë kufirit, që juridiksioni i policisë së Dibrës e ka të pamundur ti ndjekë.

E bën më shqetësuese gjendjen, fakti se policia e Dibrës, si e vetme, e ka të pamundur të përballet me këto grupe kriminale grabitqare dhe vrasës gjakëftohtë, për shkak të kapacitetit numerik dhe jocilësor të policisë, dhe e dyta, për shkak të rrezikshmërisë së lartë të këtyre grabitësvë e vrasësvë profesionistë ndërkufitar.

Përpos vjedhjeve dhe tentim grabitjeve permanente, para disa javësh, qyteti i Dibrës u terrorizua nga grabitja e një dibrani dhe punëtori të ndershëm, të cilit në mënyrë të dhunshme, katër persona të maskuar, në mesnatë, brenda shtëpisë, i ushtrojnë terror psikologjik dhe dhunë fizike, atij dhe familjes së tij të ngushtë, ku të njejtët, i grabitën sasi të konsideruashme parash dhe gjesende të vlefshme. Çka e bën më tragjike, të njejtës familjeje, para disa vitesh i ndodh grabitje e ngjashme nga po persona të maskuar e armatosur. Për fat të keq, ky akt i persëritur kaloi në heshtje totale nga mjetet e informimit publik. Nuk pati sensibilizim as nga institucionet kompetente të qytetit. Ndërsa disa ditë me vonë në qytetin kufitar të Peshkopisë, pati një grabitje te permasave te njejta. me plagosje të një qytetari. Por epilogu i gjetjes se autorëve ishte pozitiv, autorët u gjetën dhe ju vunë prangat. Ndërsa tek ne në Dibër gjithmonë e njëjta histori, asnjëherë nuk janë zbardhur raste të këtilla.

U desh të bëhet një vrasje e tmerrshme e tre anëtarëve të një familjeje, një vrasje sui generis e llojit të vrasjeve, e pashpjegueshme në të gjitha drejtimet, pos ligësisë dhe djallëzisë së pafundme kriminale, që mediat dhe autoritetet kompetente te Ministrisë së punëve të brendshme, bashkë me pushtetin lokal, ta sensibilozojnë këtë akt makabër. Pavarësisht që edhe kjo është minimale dhe e pamjaftushme për raste të këtilla të llojit sui generis.

Nëse diçka e lë në haresë, nuk kujdesesh për të, nuk e mbron si duhet, e bën atë një trup pa imunitet, cak i sëmundjeve të ndryshme. Ashtu është edhe një qytet, nëse nuk e vë në mbrojte, krimi sa vjen edhe zhvillohet, sepse motivohet nga mospengesa dhe efekti i moszbulimit.

Sensibilizmi kërkon të pranohet realiteti para organeve qendrore se, Dibra me këtë kapacitet policie dhe organizimi policor që ka, është e paaftë të përballet me fenomene të krimeve në fjalë.

Pse po heshtet?! Duhet të tregohet realiteti se Dibra nuk është e sigurtë, dibranët qëndrojnë të frikësuar në shtëpitë e tyre, nga ky lloj terrori i grabitjes dhe vrasjeve çnjerëzore.

Vrasja e trefishtë në Dibër, me plot të drejtë, mund të konsiderohet si vrasja më makabre, të paktën në R.Maqedonisë, që nga formimi i këtij shteti. Vrasje pa asnjë motiv të arsyeshem dhe të logjikshëm, kjo për organet e hetimit por edhe gjithë popullatës së Dibrës, ngase Dibra është një vend i vogël dhe i ngjason një familjeje të madhe, ku gjithsecili është i informuar për personalitetin dhe veprimtarinë e tjetrit.

Kjo vrasje për fat të keq kaloi në heshtje fillimisht nga Kryeministri, Ministri i punëve të brendshme, përfaqësuesit e partive kryesore politike në nivel qëndror. Kaloi në heshtje, sepse nuk shprehën ngushëllim publik per familjarët e viktimave, njëkohësisht nuk inkurajuan publikisht popullatën e terrorizuar të Dibrës, se do të bëjnë gjithcka për të gjetur autorët dhe për ti vënë para drejtësisë. Gjithashtu të deklaronin – apelonin që në të ardhmen të shtohet siguria për parandalimin e akteve të ngjashme. Deklarata dhe prononcime këto, që bëhen në cdo vend normal të botës, në këto rrethana akti të jashtëzakonshme, por që tek ne, mjerisht, më duket se akoma sjemi normalizuar në standartet e barabarta për jetën dhe liritë e qytetarëve.

Nëse nuk ka sensibilizm dhe vullnet nga autoritetet më të larta institucionale, maskat dhe vrasësit, do të ndjehen me të fuqishëm dhe, cak i sulmit të rradhës mund të jetë kushdo, pa përjashtim. Kujtojmë se pas sulmit grabitqar, të ndodhur disa javë me parë, autorët e të cilëve nuk u gjetën, pason vrasja e trefishtë monstruoze e këtyre ditëve.

Të kemi parasysh se në shtetet gjysmë funskionale si tonat, sensibilizimi është e vetmja mënyrë që të nxiten organizime, si psh grupet speciale të policisë për mbrojtjen e popullatës se Dibrës kufitare, sidomos gjatë sezonit veror kur vijnë mërgimtarët.

Në kushte të jashtëzakonshme, edhe masat e sektorit të Ministrisë së punëve të brendshme, duhet të jenë të jashtëzakonshme, në të gjitha aspektet, si përballje me grupet apo individet problematik të qytetit, ashtu edhe me grupet e organizuara kriminale apo vrasësit psikopatë individual.

Një shembull personal, gjatë kohës kur isha student, në Dibër kishte grabitje të vazhdueshme nga maskat. Me çka, gjatë një debati televiziv në qytetin Tetovës, të organizuar nga Radio Televizioni i Maqedonisë, programi në gjuhën shqipe, me zv.ministrin e Punëve të Brendshme, Rafet Elmazin, dhe studentëve në anën tjetër, e akuzova drejtëpërdrejt zv.ministrin, se nuk ka bërë asgjë për sigurinë e qytetit të Dibrës, i cili po terrorizohej nga bandat e maskuara. Akuzë kjo e cila pati mbështetje nga të gjithë studentët prezentë. Rezultati i kësaj thirrjeje – akuze, ishte pozitiv, i detyruar moralisht, profesionalisht apo interesi politik, Rafet Elmazi mbas disa ditësh, në bashkëpunim me sektorin e Ministrisë së punëve të brendshme në Dibër, dërgoi grupin special të policisë “Alfat”, të cilët sollën sigurinë në qytetin e Dibrës, eliminuan kriminalitetin për një perjudhe të gjatë.

Mosalarmimi dhe shprehja e keqardhjes deklarative e akteve të këtilla kriminale nga organet kompetente, udhëheqësit qeveritar, institucioneve dhe organizatave politike, shpreh në një mënyrë edhe zbehjen e punës se organeve të prokurorisë apo forcave të rendit. Nuk i kushtohet shumë rëndësi situatës së rëndë, sidomos për qytetin specifik të Dibrës, një qytet kufitar dhe një qytet ku e ritheksoj, si Dibra me shumicë shqiptare, është i vetmi vend në Republiken e Maqedonisë, në të cilin maqedonasit etnik nuk renditen as në vendin e parë e as në vendin e dytë demografikisht.

Kërkojmë dhe është emergjente që në Dibër të sillen njësi speciale të forcave të rendit, të ketë një organizim të veçantë policor për këtë vendbanim kufitar. Të bëhet edhe një bashkëpunim intensiv me forcat e rendit të qytetit kufitar të Peshkopisë, për aq kohë sa është e nevojshme të mbrohet popullata, të kapen autorët e këtyre veprave të renda penale, pavarësisht kostos financiare të shtetit, apo “gjeopolitikave qeveritare” te momentit.

Asgjë nuk kushton më shumë se jeta dhe siguria e qytetarëve, qoftë e një qytetari të vetëm. Për të mos vazhduar keshtu, së lënuri Dibrën në një vendbanim jetim dhe të harruar shteti.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here