Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, u mburr të martën se me politikat e tij arriti ta bëjë Kroacinë aleate, por gjithashtu konfirmoi se sanksionet amerikane po e godasin rëndë, por beson se edhe kjo do të ndryshojë nëse vjen Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Në një intervistë të gjerë për programin e mëngjesit të Televizionit të Republika Srpska (RTRS), Dodik tha se sanksionet e SHBA ndaj tij ia kanë arritur qëllimit. “Ka një konfuzion të përgjithshëm midis njerëzve,” tha Dodik, i cili u ankua se RS ka fonde jashtë vendit që nuk mund t’i disponojë pikërisht për shkak të sanksioneve amerikane dhe se paratë, pretendon ai, janë të mjaftueshme për funksionimin afatgjatë të njësisë. Ai është veçanërisht i zemëruar me kreun e ambasadës amerikane në Banja Luka, të cilin e akuzoi se “shëtit nëpër banka dhe i kërcënon me sanksione”.
“Është Todd. Ne po e ndjekim dhe sapo ta identifikojmë do ta arrestojmë,” kërcënoi Dodik, duke aluduar qartë për diplomatin Todd Bullock, i cili drejton zyrën e ambasadës së SHBA në Banja Luka. Ai beson se qëndrimi i SHBA ndaj tij do të ndryshojë pas zgjedhjeve presidenciale sepse është i sigurt se Donald Trump do të fitojë . “Mund të vë bast se Trump do të fitojë”, tha Dodik. Ai tha se kjo është e mirë për serbët sepse do të zvogëlojë “presionin e ngurtë” mbi RS. Ai u bëri thirrje të gjithë serbëve që jetojnë në SHBA që të votojnë për kandidatin republikan në zgjedhjet presidenciale dhe beson se më pas do të ndikojnë në ndryshimin e politikës së Shtëpisë së Bardhë ndaj Bosnje-Hercegovinës. “Ne do të bëjmë çmos që të arrijmë ekipin e Trump dhe t’u shpjegojmë atyre se për çfarë bëhet fjalë,” tha Dodik, që lavdëroi edhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.