Dokumenti sekret gjerman: Nëse Rusia pushton Europën vendi ynë zhduket nga harta

Një pushtim rus i Evropës është “më i mundshëm se kurrë”. Në këtë rast Gjermania mund të fshihet nga harta në çdo moment. Fjalët janë të shkruara e zezë në të bardhë në një dokument sekret të ushtrisë gjermane. Ai është publikuar këtë të martë nga gazeta “Der Spiegel”. Në raport, ushtria gjermane i kërkon vendit të përgatitet për një luftë të afërt me Rusinë. Frika është që lufta në Ukrainë mund të përshkallëzohet në një konflikt global me NATO-n.

Në dokumentet konfidenciale përmendet një nga gjeneralët më të lartë të vendit, Eberhard Zorn. Ai ka urdhëruar ushtrinë e vendit të kalonte në gjendje lufte përballë kërcënimeve “ekzistente”. Dokumenti politik prej 68 faqesh i prodhuar në fund të shtatorit titullohet “Udhëzimet Operacionale për Forcat e Armatosura”. Në të, gjenerali Zorn bëri thirrje për rinovimin e plotë të ushtrisë gjermane dhe për t’u përgatitur për luftë.

“Sulmi ndaj Gjermanisë mund të ndodhë potencialisht pa paralajmërim. Dëmet do të jenë të mëdha, ndoshta edhe ekzistenciale”, – shkruan ai. Forcat e armatosura të Gjermanisë, të njohura si Bundeswehr kanë 183 638 personel aktiv. Prej shkurtit të këtij viti ato kanë angazhuar edhe 949 000 personel rezervë.

Ajo mund të krahasohet me ushtrinë ruse, e cila raportohet se përfshin rreth 1 milion trupa aktive dhe deri në 2 milionë personel rezervë. Ushtria moderne gjermane është përfshirë në konflikte të huaja siç ka qenë Afganistani. Zorn i bën thirrje Bundeswehr-it që të përgatitet “për një luftë të detyruar” në territorin e saj.

Ai paralajmëroi se një luftë në një vend anëtar të NATO-s në Evropën Lindore “është bërë përsëri më e mundshme”. Zorn i bën thirrje qeverisë së Gjermanisë të luajë një rol udhëheqës në mbrojtjen e kontinentit dhe të krijojë një forca të armatosur më “të fuqishme”. Në vend që të zvogëlonte njësi më të vogla dhe të specializuara në misione jashtë vendit, ai kërkon njësi të mëdha që janë të gatshme të luftojnë për NATO-n.

Mbrojtja e Aleancës, duke përfshirë aftësinë për të ofruar parandalim të dukshëm dhe të besueshëm, do të dominojë veprimin ushtarak të Gjermanisë”, – shkruan ai.

Kjo do të shënonte një ndryshim drastik në politikën moderne ushtarake të Gjermanisë. Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore ajo është fokusuar në mbajtjen e një ushtrie të vogël. Gjermania ka aktualisht edhe baza ushtarake të huaja në tokën e saj. Kjo lëvizje vjen pasi kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi një “pikë kthese” për shkak të pushtimit rus të Ukrainës në shkurt.

Nëse më herët Gjermania kishte kërkuar të ruante marrëdhënie të ngushta me Rusinë, Scholz pranoi se “lufta në Evropë është përsëri një realitet”. Ai premtoi 100 miliardë euro për të përshpejtuar fuqizimin e ushtrisë.

Bundeswehr do të blinte 53 avionë transportues Airbus A400M, avionë luftarakë Eurofighter Typhoon dhe disa mjete ajrore pa pilot. Ajo gjithashtu do të prokurojë helikopterë shtesë NH90, 579 automjete luftarake këmbësorie Puma, të paktën 503 automjete luftarake të blinduara me shumë funksione Boxer dhe anije të reja luftarake dhe nëndetëse ushtarake.

Gjermania po kërkon gjithashtu të sjellë në shtëpi shumicën e trupave të saj nga Mali. Ato janë aty si pjesë e një misioni stabilizues të OKB-së. Gazeta thotë se në rast të agresionit rus në kufirin lindor të NATO-s, Gjermanisë do t’i duhej të siguronte “forca reaktive dhe luftarake” dhe nuk mund të priste mbështetje nga SHBA. Zorn paralajmëron se as BE dhe as NATO nuk mund të përballojnë “të fillojnë të planifikojnë dhe gjenerojnë forca vetëm pasi të ketë ndodhur sulmi”.

Nëse nuk reagojmë shpejt, asnjë ushtri nuk do të mund të lëvizë në Evropë” – shkruan ai. Megjithatë, nxjerrja e raportit sekret mund të jetë një shenjë se shefat e ushtrisë gjermane janë frustruar nga përgjigjja e ngadaltë e qeverisë së tyre ndaj premtimeve të mëparshme për fonde.

“Ka një luftë që po shpërthen në Ukrainë, por procedurat këtu janë ende në modalitetin e kohës së paqes. Ndërsa inflacioni po ha paratë,” tha një menaxher i mbrojtjes për agjencinë Reuters. Një tjetër burim pohoi se Gjermania nuk e kishte zëvendësuar ende municionin që i ka dhënë Ukrainës. Në këtë mënyrë e ka lënë ushtrinë e saj të papajisur dhe në një farë mënyre të pashpresë.

“Kontratat për disa municione janë miratuar. Kjo është vetëm një pikë në oqean në krahasim me atë që ne kemi nevojë në të vërtetë” – thanë ata. Gjermania furnizoi Kievin me 14 obus vetëlëvizës dhe 13 500 fishekë artilerie nga inventarët e saj në ditët e para të luftës. Thuhet se ato ende nuk janë zëvendësuar. Kjo vjen pasi ushtria gjermane dërgoi aksidentalisht uniforma për ushtarët me etiketa “SS”.

Inicialet besohet se kanë pasur kuptimin “small dhe short) (i vogël, i shkurtër), por një “problem në prodhim” i ka bërë ato të duken keq. Ligjet gjermane ndalojnë shfaqjen e çdo ikone naziste, duke përfshirë edhe inicialet “SS”. Ato janë simboli i Schutzstaffelin të Adolf Hitlerit, i cili orkestroi vrasjen e 6 milionë hebrenjve gjatë Holokaustit. Shkronjat SS madje janë të ndaluara edhe në targat e makinave në Gjermani, së bashku me çdo simbol tjetër nazist.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu