Komuna e Mitrovicës po del të jetë “problematike” për Lëvizjen Vetëvendosje, në zgjedhjet lokale të tetorit.
Atje, dy më të përfolurit për kandidat në pozitën e kryetarit të komunës, Armend Muja e Agim Bahtiri vazhdimisht kanë përplasje indirekte, derisa vërehet luhatja që po pëson kjo parti në këtë komunë.
Agim Bahtiri dhe Armend Muja, vazhdimisht me postimet e tyre po ngjallin reagime që bëjnë të ditur se dy anëtarët e VV’së nuk shkojnë edhe aq mirë.
“Mitrovicës i duhet qeverisje lokale e denjë për qytetarë, e jo qeverisje e ekipeve të perfiterave të cilët e kanë katandisur këtë qytet. Mjaftë më lojrave dhe pazareve politike ne dëm të qytetarëve”, ka shkruar Muja në Facebook para pak ditësh.
Derisa kryetari aktual i kësaj komune, Agim Bahtiri, ka thënë me vendosmëri të plotë se do jetë kandidati i vetëm nga kjo parti për të garuar në zgjedhjet lokale të tetorit në Mitrovicë.
Por në anën tjetër u përfol edhe kandidimi i Armend Mujës, deputet i kësaj Lëvizje, por këtë mohoi Agim Bahtiri.
“Para se me hy në fushatë, kam bisedu me Mujën që të hyjë në Vetëvendosje. Jemi ulë kemi bisedu. Ajo është vec propagandë që Armend Muja do të jetë kandidat për Mitrovicën. Me zoti Mujën i kemi kry këto diskutime, edhe me Kurtin’’, kishte thënë ai.
E sot për Bahtirin, kryeministri Kurti pati një mesazh gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti në fjalimin e tij tha se duhet të ndalen vetëkandidimet apo vetëshpalljet, duke lënë të aludohet se ishte fjala për Bahtirin pasi deri tani është i vetmi kandidat që ka deklaruar hapur se do kandidoj në zgjedhje, derisa vetë Lëvizja nuk ka bërë të ditur asnjë kandidat.
“Asnjë prej kryetarëve nuk ka për të qeverisur vetëm me miqtë e vet, e asnjë grup shoqëror nuk do të marrë në kontroll asnjë qendër apo asnjë komunë. Prandaj fushatat negative duhet të ndalen, ashtu siç duhet të ndalen edhe vetëshpalljet apo vetëkandidimet, si dhe pretendimet që dikush ka mbështetje nga niveli i tretë apo nga kryesia e Lëvizjes. Mbështetja jepet vetëm në mënyrë statutore, demokratike dhe institucionale, nuk është mbështetje një fotografi apo një takim diku’’, tha Kurti duke lënë të kuptohet se mesazhi ishte i qartë, dhe mbase i dedikohej Bahtirit.
Ajo çfarë mori më shumë vëmendje ishte se vetë Bahtiri e shpërndau këtë pjesë të fjalimit, duke mos e cilësuar si mesazh për të derisa komentuesit thanë se mesazhi i Kurtit kishte të bënte me të.
Kurti nga kjo mbledhje u dërgoi mesazh edhe aktivistëve të partisë, ku me një dozë patetizmi kërkoi që të ‘’mbrohet Lëvizja, e për pushime nuk është koha e duhur.’









