Ajo është studente e vitit të parë për Marrëdhënie Ndërkombëtare në UET. Thotë se po çon në vend amanetin e të atit, në letrën që la për të ku i thoshte të bëhej vajzë e dijes. Rexhina Myrta, vajza e komandant Telit, i cili humbi jetën në luftën e Maqedonisë thotë se studimet janë rruga për të vazhduar luftën e të atit, përpjekjen e tij për t’i parë shqiptarët të lirë
Ishte vetëm një vjeçe e gjysmë, kur më 7 gusht të vitit 2001, i ati Lefteri, i njohur nga shokët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si komandant Teli, do të humbiste jetën, në fshatin Gazibabë të Shkupit, i vrarë tradhtisht nga forcat speciale maqedonase, teksa flinte, në shtëpinë e Muzafer Halilit, me pesë bashkëluftëtarë të njësisë “Teli 69”, udhëhequr prej tij.
“Unë isha një vjeç e gjysmë, kurse vëllai vetëm gjashtë muajsh. Kemi qenë shumë të vegjël. Nuk është se mbaj mend, thjesht kam një kujtim të vogël që flisja disa kohë në telefon. E kam këtë kujtim. Në fillim mendoja se ishte një burrë që nuk e njihja, por gradualisht e kuptova që ishte babi. E kam një kujtim të vogël” –kujton Rexhina, e cila tashmë është rritur dhe është studente e vitit të parë Bachelor në Universitetin Europian të Tiranës, duke thënë se rruga drejt dijes është edhe përmbushja e amanetit të të atit, i cili i foli së bijës edhe pas vdekjes me anë të një letre. Pasi ishte mësuar me idenë se i ati e vështronte nga qielli, kur mbushi 7 vjeç, e ëma Rabija i dorëzoi letrën.
“Isha në klasë të dytë kur e lexova. Ia kish lënë amanet mamit “Tregoja letrën vajzës kur të dijë të lexojë dhe të shkruajë”. Aty kishte shkruar shumë gjëra. Më kishte lënë mamin amanet të parën. Më thoshte që të isha vajzë e dijes. Aty, edhe pse isha e vogël, nisa të kuptoj. U preka shumë. Jam mbyllur në dhomë edhe nuk kam dalë për një kohë të gjatë” – kujton Rexhina dhe sytë i vishen me lot sërish teksa rrëfen.










