E-pagesa në autobusët e transportit publik shkakton pakënaqësi te përdoruesit

Radhë të gjata të qytetarëve para biletarisë kujdestare në Tregun e Gjelbër në Shkup për tu pajisur me kartela elektronike për transport me autobus urban. Nga 1 janari biletat nga letra do ti takojnë historisë ndërsa udhëtarët do duhet të përshtaten me sistemin e ri të pagesës elektronike. Disa prej tyre thonë se kjo reformë në transportin publik nuk është e qartë. Më tepër reagime ka patur me biletën për 10 udhëtime e cila tani do të duhet të shfrytëzohet brenda 15 ditëve përndryshe i skadon afati.

“Është shumë herët, gjatë festave nuk ka kohë.” “Duhej më herët, ose të hapen më shumë biletari. Njerëzit nuk duhet të presin këtu me orë të tëra, tani të ngrihen në këtë kohë.” “Është normale tani janë festat, është faji ynë, ne dëshirojmë në minutën e fundit ti bëjmë të gjitha punët. Përndryshe çdo gjë ishte në rregull.”, u shprehen disa qytetarë.

Kartelat shiten në dy lloje: personale, e cila është me foto të përdoruesit dhe e zëvendëson kartelën e mëparshme, apo e ashtuquajtura “kartelën e lirë” e cila mund të përdoret për aq kohë sa ka para në të. Kjo e fundit mund të blihet në autobus.

Nga Ndërmarrja e transportit publik thonë se qytetarët ishin të informuar me kohë.

“Kjo ka të bëjë me kartelat personale ose kartelat jo-personale. Ato personale janë me çmim prej 200 denarë, ndërsa jo-personale janë me çmim prej 150 denarë. Ne kishin ndërmarrë të gjitha masat që qytetarët të njoftohen me kohë. Mentaliteti i njerëzve është i tillë, gjithmonë i lëmë punët në momentin e fundit”, deklaroi Igor Janushev, drejtor i NTP-së.

Sistemi i ri i pagesës elektronike vlen për transportuesit publik dhe privat, për të gjitha linjat e qytetit dhe ato periferike./Zhurnal


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu