Edhe Albin Kurti e quan padrejtësi vendimin e Europës për Shqipërinë dhe Maqedoninë

Lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, nga Tirana e komentoi vendimin negativ të Këshillit të Evropës, që të mos jepet datë për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, është bërë padrejtësi drejtë këtyre dy vendeve, si dhe mosdhënies së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë më shumë. Çështja në Ballkan e këtyre 6 vendeve ende të paintegruara në BE është se Kosova nuk ka ende liberalizim të vizave, vendet e tjera i kanë. Mendoj se është bërë padrejtësi që Republika e Shqipërisë dhe Maqedonia e Veriut nuk po fillojnë negociatat për anëtarësim, ju takon dhe e kanë merituar një gjë të tillë”, ka deklaruar Kurti pas festimit të fitores së partisë së tij të organizuar në Tiranë.

Duke komentuar takimin në Novi Sad të kryeministrave të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për formimin e “minishengenit” ballkanik, kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, e dërgoi porosinë:Keni kujdes me Serbinë!

“Mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm në marrëdhëniet me Serbinë, sepse e dimë se çka iu bëri shqiptarëve nga njëra anë, ndërsa dihet se para tri viteve tentoi që të shkaktojë grushtet në Maqedoninë e Veriut, puç me ndihmë të Rusisë, por nuk pati sukses”, tha Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu