Një tjetër zjarr masiv është regjistruar në vendin tonë gjatë pasdites së sotme. Mësohet se një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë vreshtat e fshatit Grabovicë në Pogradec.
Fillimisht zjarri është shfaqur në afërsi të fshatit Çërravë, po për shkak të erërave të forta ka ndryshuar drejtim.
Dy mjete zjarrfikëse dhe banorët e zonës janë angazhuar për shuarjen e flakëve, të cilat po favorizohen nga era dhe shkurret e thata në zonën përreth.
Flakët rrezikojnë të përfshijnë telat e linjës së energjisë elektrike, si dhe kabujt e njërës prej kompanive telefonike që operon në vendin tonë.
Kujtojmë këtu se ditët e fundit ka pasur një numër të lartë të zjarreve që kanë përfshirë vendin.
Shkaku kryesor i kësaj situate mendohet se janë çobanët, të cilët ndezin zjarre për hapjen e kullotave të reja.










