Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, ka zbuluar se çfarë e bën Eden Hazardin driblues të frikshëm dhe shumë të suksesshëm në fushë: prapanica e tij.
Hazardi do ta veshë fanellën e Real Madridit nga sezoni i ri 2019/20, pasi Chelsea u pajtua ta shesë atë për 100 milionë euro këtë verë.
Ai do të zyrtarizohet si lojtar i ri i gjigantit spanjoll të enjten, kur edhe do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me klubin e tij të ri.
Belgu vlerësohet si ndër futbollistët më të talentuar në botë dhe tani në moshën 28-vjeçare, ai po e përmbushë ëndrrën për të luajtur në Santiago Bernabeu.
Martinez është adhurues i madh i tij dhe i lumtur që mund ta stërvitë atë në ekipin kombëtar belg. Ai pati një shpjegim interesant për aftësitë e mëdha të Hazardit për t’i dribluar kundërshtarët.
“Ai është aq i shkurtër saqë e përdor prapanicën e tij për dalë fitimtar në situatat një kundër një, gjë që lojtarët e tjerë nuk mund ta bëjnë. Prapanica është qendra e gravitetit të tij”, tha Martinez.










