Në krahun e tij të majtë kryeministri shqiptar Edi Rama e kishte njeriun që e kundërshton fuqishëm idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve, por ai nuk ka ngurruar që t’i quajë gomarë të gjithë ata që e quajnë tradhtar Hashim Thaçin.
Shefi i Qeverisë shqiptare nga Peja nuk ka përjashtuar asnjë mundësi për korrigjim të kufijve. Ai tha se shqiptarët duhet të bëhen bashkë, raporton KTV.
E në këtë temë, nikoqiri i Ramës ka shpërthyer fuqishëm duke u treguar edhe njëherë të gjithëve se tema e kufijve nuk guxon të hapet kurrë.
Por, tone të ashpra Rama ka përdorur edhe ndaj BE-së e Serbisë.
Në mbështetje të taksës 100 për qind që Kosova i vuri Serbisë, Rama tha se ky është vendim politik që e ka merituar Serbia.
Evropën e ka quajtur të padrejtë karshi kosovarëve që, siç ka thënë, i la të izoluar duke u vënë kushte një pas një, derisa ende nuk po ndodh lëvizja e lirë, e sipas tij, BE-ja po lë të kuptohet që kjo nuk do të ndodhë shpejt.
Por, gjuhën e ashpër nuk e kurseu as me gazetarët.
Njëjtë siç vepron në Shqipëri, gjuhë ofenduese përdori edhe në konferencën për media në Kosovë.
Ndërkohë, kur u fol për taksën që Shqipëria ka vendosur për ata që kalojnë Rrugën e Kombit, kryeministri kosovar i kërkoi kryeministrit që të paktën ta rregullojë rrugën si duhet.
Rama ka thënë se ky është synim i tyre derisa u la mesazh kosovarëve.
Video:










