Edi Rama, nuk guxon t’ia prishë Aleksandar Vuçiqit projektet e ‘botës serbe’ Ballkanit të hapur presidentit të Serbisë

Pak ditë më parë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kur takoi homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj, bëri një kërkesë, për të cilën më pas u akuzua dhe keqinterpretua.

Presidentja Osmani ka propozuar që në ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë të ketë një traktat për mbrojtje të ndërsjellë në rast se cenohet siguria e dy shteteve.

“Sa i përket bashkëpunimit tonë dy palësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes është me rëndësi që me Shqipërinë siç e diskutuam të kemi një traktat për mbrojtje të ndërsjellë, me të cilin në mënyrë reciproke do të reagojmë në rast të cenimit të dy shteteve tona. Ka disa vite që e kam bërë një propozim të tillë që është në harmoni me praktikat ndërkombëtare dhe aplikohet nga shumë shtete, ndaj mendoj që është koha që të bëjmë hapa të duhur në këtë drejtim”– ka thënë Osmani.

Kjo deklaratë erdhi pas një ceremonie shtetërore, ku presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti në vizitë zyrtare presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka ardhur për vizitë zyrtare për herë të parë në Kosovë që nga marrja e detyrës.

Pas kësaj kërkese të Presidentes Osmani, ka reaguar nga opozita, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ai ka thënë se javëve të fundit vendi po udhëhiqet nga frika, duke theksuar se kur kryeministri javën e kaluar foli për luftën dhe presidentja këtë javë për traktatin e mbrojtjes, sipas Hoxhajt, të dy krerët e shtetit qëllimisht po mbjellin një atmosferë frike, “duke zëvendësuar temat e brendshme të krizës ekonomike dhe me slogane të politikës së jashtme”.

“Një slogan nga Qeveria e dëgjuam në muajin janar të 2022, për një marrëveshje ku Kosova dhe Serbia zotoheshin të mos e sulmojnë njëra-tjetrën! Një slogan të ri e dëgjuam dje nga Presidentja e Kosovës për një traktat të mbrojtjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Kosova, për shumë vite ka qenë e sigurt nga pikëpamja psikologjike, kurse në javët e fundit po udhëhiqet nga frika”, ka shkruar ai.

Por, mënyra e interpretimit të Hoxhajt dhe të tjerëve nuk është korrekte, sepse ende pa kaluar as dy ditë nga takimi në Bruksel, presidenti i Serbisë u kërcënua për një ‘përmbysje’ në veri dhe në Kosovë.

Këto ‘përmbysje’ nuk ndodhin pa forcë dhe pa konfrontim armësh!

Njohësit e ҫështjeve politike në vend kanë komentuar deklaratën e Presidentes Osmani.

Mulliqi: Presidentja Osmani, kërkojë një traktat të përbashkët me Shqipërinë, kur dihet se të bashkuar jemi edhe më të fortë

Kështu analisti politik, Skender Mulliqi thotë për ‘Bota sot’ se, është e logjikshme kërkesa për traktat mbrojtjeje e presidentes, Vjosa Osmani, që ja bëri presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj gjatë vizitës dyditore në Kosovë.

“Pse është deklarim që nuk sjellë frikë, siç thotë Enver Hoxhaj i PDK-së? Edhe pse përfundoi lufta më Serbinë në Kosovë në vitin 1999, kjo e fundit kurrë nuk u ndalë së kërcënuari Kosovën me luftë. Pasardhësi i Millosheviqit në pushtet në vend që tek ai të mbretërojë arsyeja për paqe në Ballkan, Serbia e Vuҫiqit po përgatitet për luftë të re, edhe pse nuk ka mundësi t’i realizojë kurrë më planet dhe elaboratet shfarosëse ndaj shqiptarëve. Duket se në planin luftënxitës të Serbisë ka ndikuar edhe agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë. Por, Kosova nuk është më ajo e vitit 1999. Tash kemi organet tona të shtetit, kemi policinë dhe ushtrinë, kemi një popullatë shumë të re, të gatshme ta mbrojë vendin e vet nga çdo agresion i mundshëm”, vlerëson Mulliqi.

Ai thotë se, duke i pasur parasysh të gjitha këto, dhe duke e ditur se ‘Serbia gjithmonë ka qenë grabitqare e tokave shqiptare, presidentja Osmani, më duket mua edhe kërkoi një traktat të përbashkët më Shqipërinë, kur dihet se të bashkuar jemi edhe më të fortë’.

“As Hoxhaj dhe as opozitarët tjerë nuk kanë të drejtë kur thonë se deklarimi i Osmanit po ngjallë frikë. Asnjë deklarim nga kushdo qoftë ai, nuk ka mundësi të ngjallë frikë, kur dihet se jemi mësuar tashmë me kërcënimet gati të përditshme të Serbisë. Se a do të jetësohet ky traktat mbetet në dorë të krerëve më të lartë të Shqipërisë, por unë mendoj së varet edhe nga faktori ndërkombëtar, kur dihet se sipas Marrëveshjes të Kumanovës, kufijtë e Kosovës është duke i ruajtur KFOR-i, si pjesë e strukturës ushtarake të NATO-s”, thotë ai.

Duke komentuar deklaratat e opozitës më tutje, analisti Mulliqi thotë se kjo opozitë sikur po interesohet të gjejë vrima të zeza, aty ku nuk ka. Opozitarët edhe kësaj radhe po i kapin fjalët dhe deklarimet e pozitës për bishti, e jo nga koka dhe as për nga interesi shtetëror e nacional.

“Kjo nuk po ndodhë te blloku opozitar thuaje se Kosova është vetëm e kryeministrit, Albin Kurti apo e presidentes, Vjosa Osmani. Logjika e politikave të vjetra, të cilat Kosovën e prunë në deregje të keqe politike dhe ekonomike e sociale, duhet të flakët njëherë e përgjithmonë, nëse mendojmë të ndërtojmë shtet funksional dhe shtet ligjor, që kjo strukturë e re politike në krye të shtetit e ka rastin historik ta bëjë. Nuk dua të them se nuk është bërë asgjë në Kosovë, për këto vite se është bërë, por shtetndërtimi dhe proceset demokratike janë të pandalshme. Edhe lufta për pushtet i ka rregullat e veta demokratike të sjelljes, e jo të mos zgjidhen mjete dhe metoda për ta rrëzuar pushtetin, siҫ po pretendon kjo opozitë”, përfundoi Mulliqi.

Mehazi: Për këtë marrëveshje nuk vendosin as presidentja e Kosovës, as presidenti i Shqipërisë

Nga ana tjetër, profesori Sulejman Mehazi duke komentuar kërkesën e presidentes Osmani, drejtuar homologut shqiptar Begaj, thotë se ideja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, me presidentin e Shqipërisë në Kosovë, Bajram Begaj, për një traktat mbrojtje të dy shteteve është ide e shkëlqyeshme për të dy palët, por në anën tjetër për këtë marrëveshje nuk vendosin as presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, as presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po kryeministrat e dy shteteve, Edi Rama dhe Albin Kurti.

“Mirëpo, problemi i traktatit mbrojtës të dy shteteve do të jetë kryeministri i Shqipërisë, i cili kurrsesi nuk do pajtohet me këtë traktat mbrojtës propozuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, themi kështu për shkak se çdo propozim në lidhje me marrëdhëniet bashkëpunuese mbrojtëse që vijnë nga krerët e Kosovës do të jetë mohues nga Edi Rama, i cili kurrsesi nuk pajtohet me idetë politike të Vjosës e Kurtit që janë kundër Ballkanit të hapur. Forca politike e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj për traktate marrëveshje me Kosovën nuk është e autoritetshme për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, pasi Rama e bëri Begajn president të Shqipërisë dhe normale se ai pyetet e vendos”, thekson profesor Mehazi.

Ai thotë më tutje se, traktati i mbrojtjes së Kosovë – Shqipëri do të ishte i besueshëm e i realizueshëm sikur të dilte nga goja e mendja e presidentit të Shqipërisë, Begaj e jo nga presidentja e Kosovës, Osmani.

“Çdo propozim politik që vjen nga Kosova, qeveria e Shqipërisë nuk e merr parasysh, propozimi i një marrëveshje mbrojtëse të dy shteteve shqiptare nga Vjosa Osmani, vetëm që do jetë i zëshëm te mediat serbe si e frikshme dhe armiqësore, por nuk do të realizohet për shkak se kyçi politikë i mosrealizimit të traktatit mbrojtës së dy shteteve shqiptare është Edi Rama, i cili nuk guxon t’ia prishë plan-projektin e Ballkanit të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiqit”,
vlerëson ai.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu