Edu Rama: Turqia mbetet partner i pazëvendësueshëm strategjik për shqiptarët

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë pritjes së organizuar për ambasadorët e vendeve të huaja të akredituar në Tiranë, ka folur për marrëdhëniet me Turqinë, Maqedoninë, dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

I pranishëm në pritjen e organizuar në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë ishte edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük.

Rama theksoi gjatë fjalës së tij se Turqia mbetet një partner i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm strategjik.

“Dua ta ritheksoj se, ashtu siç ka qenë që në ditën e parë, ashtu mbetet për ne e domosdoshme që në këtë trekëndësh të partneriteteve strategjike mes Greqisë, Italisë dhe Turqisë, radhën vendoseni si të doni, që të mos kemi probleme me radhën, ne të thellojmë bashkëpunimin. Për ne, Italia nuk diskutohet është porta hyrëse drejt rrugëtimit tonë të së ardhmes evropiane dhe Turqia mbetet një partner i patjetërsueshëm dhe i pazëvendësueshëm strategjik, pavarësisht sesi mund të fryjnë hera-herës erërat e marrëdhënieve të miqve të tjerë me Turqinë. Turqia është mike dhe miqësia me Turqinë nuk preket nga asnjë erë që fryn mes miqve tanë dhe Turqisë mike”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila, sipas tij, të pranohet dhe të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian(BE).

“Ne jemi përgatitur dhe në pranverë do të hapim kufirin me Kosovën, por dëshiroj që askush të mos e deformojë qëllimin dhe përmbajtjen e këtij akti, duke e ricikluar përsëri në atë vazhdën e mbetjeve të nacional-folklorizmit të të shkuarës. Ne duam të bëjmë të njëjtën gjë me Maqedoninë. Unë e kam shtruar këtë me kryeministrin Zaev dhe ne jemi gati që të fillojmë punën me Maqedoninë, për të bërë ekzaktësisht të njëjtën gjë, një kufi fluid, sipas modelit Shengen. Të njëjtën gjë duam të bëjmë edhe me Malin e Zi dhe të njëjtën gjë do dëshironim të kishim në të gjithë zonën evropiane të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë.

Ai theksoi se mund të thellojnë partneritetet rajonale përmes trelateraleve dhe shtoi se “kemi trelateral goxha stimulues në kuadrin e bashkëpunimit mes vendeve të NATO-s, mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Duam të shkojmë drejt trelateraleve me Kroacinë dhe Kosovën, me Maqedoninë dhe Kosovën dhe më tutje.”

Rama komentoi edhe refuzimin nga presidenti i vendit, Ilir Meta, të propozimit për emërimin e Gent Cakaj, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

Kryeministri Rama tha se “Ai(Cakaj) kurrë nuk ka shprehur asgjë që bie ndesh me politikën tonë të jashtme. Kush e thotë këtë, ose është një keqdashës, ose është një keqlexues, ose të dyja bashkë, ose edhe më keq akoma. Ai kurrë nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan dhe as ka marrë përsipër të ndërhyjë ndonjëherë në një çështje si ajo mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kujtojmë se Cakaj i cili është nga Kosova ishte propozuar për këtë post nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ndërsa Meta ka renditur disa arsye pse ka refuzuar dekretimin e tij.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu