Idetë themelore që paraqiten në “non-paper”-in e pretenduar franko-gjerman mbi zgjidhjen e problemit të Kosovës janë të afërta me pikëpamjet e të dy vendeve, megjithëse nuk ka asnjë provë që Berlini dhe Parisi e ideuan dokumentin, thonë për të përditshmen e pavarur serbe “Danas” ekspertët gjermanë dhe britanikë për Ballkanin Perëndimor, duke komentuar përmbajtjen e një dokumenti jozyrtar të botuar nga “Koha Ditore”, vërtetësia e të cilit nuk është provuar ende.
Sipas “Kohës Ditore”, ky dokument nënkupton që Kosova dhe Serbia “do të respektojnë sovranitetin dhe integritetin e ndërsjellë të njëri-tjetrit, do të ketë një rajon autonom të Kosovës Veriore”, kisha ortodokse serbe do të ketë një status të veçantë dhe Mitrovica do të jetë një zonë e përbashkët ekonomike.
Gjithashtu, pretendohet se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani midis Kosovës dhe Serbisë është planifikuar të zbatohen dhe se marrëveshja përfundimtare do të arrihet deri në shkurt 2022.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, deklaroi se i ashtuquajturi “non-paper” gjermano-francez është “lajm i rremë”.
“Mund të ketë një dokument të tillë, por sigurisht nuk është përgatitur nga Gjermania dhe Franca. Ne u japim mbështetje të plotë negociatave të udhëhequra nga BE-ja, siç deklaroi të enjten e kaluar në Prishtinë edhe kreu i diplomacisë gjermane, Heiko Maas”, tha Rohde në Twitter.
“Berlini vazhdon të mbështesë planin e Ahtisaarit”
Duke komentuar përmbajtjen e dokumentit jozyrtar në fjalë, akademiku i pavarur gjerman Franz Lothar Altmann i tha “Danas”-it se e ka parë këtë “non-paper”, i cili, natyrisht, quhet ashtu, sepse palët e përfshira nuk duan që ai të rrezikohet qysh në fillim, gjë që do të mund të ndodhte nëse Franca dhe Gjermania do ta pranonin autorësinë.
“Këto ditë nuk jam aq afër politikës së Berlinit zyrtar për të konfirmuar nëse përmbajtja e këtij ‘non-paper’-i pasqyron vërtet politikën e Berlinit ndaj Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, unë supozoj se ka bisedime të vazhdueshme midis Parisit dhe Berlinit për këtë çështje, sepse të dy palët duan që gjërat të ecin përpara. Dhe gjithashtu mendoj se, në parim, zgjidhjet janë propozuar në përputhje me idetë themelore të diskutuara në qarqet politike në Berlin”, tha Altmann.
Ai shtoi se Gjermania e ka njohur Kosovën dhe vazhdon të mbështesë planin e Ahtisaarit për të zgjidhur çështjen e Kosovës.
“Nga ana tjetër, Berlini e di shumë mirë se njohja e plotë e sovranitetit të Kosovës është një hap shumë i vështirë për Beogradin, dhe se themelimi përfundimtar i një AKS-je pothuajse të pavarur është në një farë mase e vështirë të pranohet për Prishtinën. Kjo është arsyeja pse ky ‘non-paper’ paraqet kushtet e qarta dhe informon pa dyshim të dy palët se argumentet më bindëse politikisht në fushën e brendshme janë të nevojshme për të arritur një marrëveshje. I vetmi mjet me të vërtetë i fuqishëm, ose levë, në procesin e ardhshëm të negociatave është vendosja e një qëllimi përfundimtar për të dy palët, për Serbinë dhe Kosovën, dhe ai është anëtarësimi në BE. Përndryshe, marrëveshja përfundimtare është e paimagjinueshme”, beson Altmann.
“Pozicioni i Gjermanisë është i qartë – Serbia duhet ta njohë Kosovën”
Duke folur për të njëjtën temë, udhëheqësi i projektit “Studimet e Shpërbërjes” të Qendrës për Gjeopolitikë në Universitetin e Cambridget, Timothy Less, thotë se ai nuk ka asnjë informacion të brendshëm në lidhje me këtë “non-paper” dhe se ai nuk e di burimin e tij e as faktin nëse është i vërtetë.
“Ajo që di është se ‘Koha Ditore’ thotë se është një dokument franko-gjerman dhe se ambasadori gjerman thotë se nuk është kështu. Gjykuar nga gjuha dhe përmbajtja, ky dokument u krijua pothuajse me siguri në Evropën Perëndimore, dhe sipas supozimeve të mia, ai erdhi nga zyra e Lajçakut, sepse ai udhëheq procesin e ndërmjetësimit. Ky ‘non-paper’ duket të jetë një përpjekje për të marrë parasysh kundërshtimet e shqiptarëve të Kosovës ndaj AKS-së, duke e kufizuar atë territorialisht në veri. Kjo është arsyeja pse unë nuk e shoh se si Serbia do të pajtohej me një propozim të tillë. Sa i përket Gjermanisë, nuk ka asgjë në letrën e përmendur që bie në kundërshtim me pozicionin e saj e cila thotë zëshëm – Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe nuk mund të ketë ndryshime në kufij – por kjo, sigurisht, nuk konfirmon që gjermanët e kanë shkruar atë”, konstaton Less.
Ai thekson se është interesante sasia e “non-paper”-ëve për Ballkanin që qarkullon në Bruksel këto ditë, si “non-paper”-i kroat për Bosnjën, “non-paper”-i slloven, dhe tani ky, gjë që nënkupton se liderët evropianë e kanë kuptuar se po shembet qasja ekzistuese e BE-së në Ballkan.
Dialogu politik midis Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë më 11 maj, me një takim midis presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, nën kujdesin e Miroslav Lajçakut në Bruksel. Pas këtij takimi, bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis dy palëve pritet të mbahen në Paris, të organizuara nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Një takim të tillë të 11 majit e paralajmëroi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, por që të njëjtin e refuzoi pala kosovare, duke thënë se nuk janë pajtuar për një takim të tillë.









