Ziadin Sela, deputet dhe udhëheqës i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, reagoi ndaj deklaratave të fundit të udhëheqësve të VLEN-it në lidhje me hyrjen politike të partisë së tij në Qeveri. Sela kërkon parime dhe kushte politike të përcaktuara qartë. Një përparësi kyçe është respektimi dhe zbatimi praktik i parimit të Badinterit në Gjykatën Kushtetuese, transmeton Portalb.mk.
“Kjo çështje është thelbësore për sigurimin e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve jo-shumicë në vend. Pa përmbushur kushte të tilla, nuk mund të flitet për ndonjë marrëveshje për pjesëmarrje në Qeveri”, tha Selës.
Paraprakisht njëri nga liderët e VLEN-it dhe kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi se kishte komunikim dhe bisedime të hapura që Sela të hynte në koalicionin qeveritar, për të cilin dera ishte hapur.
Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se rikonstruimi i Qeverisë pritet drejt fundit të majit ose fillimit të qershorit.
Kujtojmë se largimi i Arben Fetait nga qeveria tani e disa javë ka bërë bujë në opinion, ndërsa së fundmi bashkëpartiaku i tij, njëherit ministri i Shëndetësisë Azir Aliu tha se Fetai nuk merr pjesë në mbledhjet e qeverisë. Lidhur me këtë, vetë Fetai nuk është deklaruar ende publikisht.
Sa i përket rikonstruimit, Mickoski tha se aktualisht është i fokusuar në organizimin e brendshëm të VMRO-DPMNE-së dhe se ndryshimet në Qeveri mund të ndodhin në gjysmën e dytë të majit ose në fillim të qershorit. Ai paralajmëroi mundësi për ndryshim të resorëve dhe të disa emrave në përbërjen e ardhshme të Qeverisë.
Një emër tjetër, fati i të cilit nuk dihet se çfarë kahje dhe pozicioni do të merr me rikonsrtuimin e qeverisë është ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani. Ai ka aktivitete të rregullta si ministër, por sipas deklaratave të bashkëpartiakëve të tij, për Limanin nuk ka vend në koalicionin VLEN i cili më 9 maj pritet të shndërrohet në parti dhe pas së cilës pritet edhe rikonstruimi i Qeverisë.










