Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se liderët evropianë e kanë “kuptuar qartë” mesazhin e Presidentit amerikan Donald Trump lidhur me pakënaqësinë e SHBA-së për qëndrimin e aleatëve evropianë në lidhje me luftën në Iran, pas njoftimit për tërheqjen e 5,000 trupave amerikane nga Gjermania.
Duke folur para takimeve me liderë evropianë në Armeni, Rutte tha se “evropianët po angazhohen më shumë” dhe se disa shtete tashmë po zbatojnë marrëveshje bilaterale për përdorimin e bazave ushtarake dhe mbështetjen logjistike.
Sipas tij, vende të NATO-s si Mali i Zi, Kroacia, Rumania, Portugalia, Greqia, Italia, Britania, Franca dhe Gjermania po kontribuojnë në këtë drejtim, ndërsa Spanja ka deklaruar se bazat e saj nuk mund të përdoren për luftën me Iranin.
Sipas transmetuesit irlandez RTE, Rutte shtoi se gjithnjë e më shumë shtete evropiane po pozicionojnë pajisje ushtarake, përfshirë minahedhës dhe anije për çminim, pranë Gjirit Persik, në përgatitje për një “fazë të ardhshme” të mundshme të operacioneve. Ai gjithashtu përmendi se disa vende po shqyrtojnë pjesëmarrjen në një mision për të siguruar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit pas përfundimit të luftës.
Nga ana tjetër, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, tha se njoftimi për tërheqjen e trupave amerikane ishte i papritur dhe se kjo tregon nevojën për forcimin e “shtyllës evropiane në NATO”, përcjell KosovaPress.
Sipas saj, prania e trupave amerikane në Evropë nuk shërben vetëm për interesat evropiane, por edhe për ato amerikane, duke nënvizuar nevojën për rritjen e përgjegjësisë së Evropës brenda aleancës.










