Epokë e re për politikën e Maqedonisë?

Në 25 vitet e ekzistencës së Republikës së Maqedonisë pluralizmi politik është përbërë nga parti të ndryshme politike të ngritura mbi baza të ndryshme etnike, ideologjike, duke ofruar programe diku të përbashkëta e diku kundërthënëse, dhe ku asnjëra parti nuk arriti të zgjerojë elektoratin më larg se etnia mbi të cilën ishte ngritur, etnia për të cilën ofron dhe etnia nga e cila përbëhet.

Është fakt i pamohueshëm se gjatë gjithë kesaj periudhe partitë politike kanë qenë homogjene në përbërje për kah kombësia, por a po fillon një kapitull i ri i politikbërjes në Maqedoni me lëvizjet e reja në skenën politike?

Dikush mendon se është larg dita kur shqiptarë e maqedonë s’do votojnë më partitë mbi baza etnike, por për atë se çfarë ofrojnë për të mirën e përgjithëshme, dhe janë pikërisht figura që kanë dominuar skenën politike ata që mendojnë në këtë mënyrë. Por veprat u paraprijnë fjalëve dhe mendimeve.

Ky homogjenizim që ka dominuar deri tani ka filluar të shprishet dhe po i lë vend një fryme të re, dhe ky ndryshim filloi nga partia më e madhe opozitare ne vend, LSDM.

Partia që në zgjedhjet e fundit presidenciale me kandidatin e vet dhe fushatën e tij bëri hapat e parë në respektimin e dygjuhësisë, filloi me përfshirjen e shqiptarëve në rrethin e saj partiak ku kulminacionin e arriti me përfshirjen e gazetarit më të njohur shqiptar në Maqedoni, Muhamed Zekirit, ku fill pas kësaj lëvizje, po nga kjo parti filluan të trajtohen çështje madhore për shqiptarët siç ishte çështja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe.

A po nisë një epokë e re për politikën e Maqedonisë? Zgjedhjet e 11 dhjetorit do tregojnë të vërtetën, se a do ndodh ashtu siç parashikohet që një numër i konsiderueshëm i votuesve shqiptarë do votojnë partinë e cila premtimet që politikanët shqiptarë si realizuan për mandate të tëra po i shtron për zgjidhje dhe i trason drejt rrugës të realizimit./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu