Nuk duhet hequr asnjëherë nga mendja e vërteta se çdo krizë sjell me vete shanse të shumta, ka deklaruar të shtunën Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Ai foli për zhvillimet aktuale gjatë një takimi me përfaqësuesit e Partisë së tij për Drejtësisë dhe Zhvillimit (AK Parti) në Ankara, ndërsa në fokus kishte manipulimin aktual të situatës në ekonominë turke.
Duke tërhequr vëmendjen se për këtë qëllim kanë vendosur në veprim sistemin e ri qeverisës, Erdogani tha: “Pavarësisht se Turqia u përball me një prej sulmeve më të mëdha ekonomike në historinë e saj, ne kemi marrë nën kontroll situatën përgjithësisht në dy muaj kohë. Është e pamundur që të shpjegohet se rritja e kursit të këmbimit në një mënyrë kaq të madhe është vetëm për arsye ekonomike. Ne s’përpiqemi kurrë të largohemi nga përgjegjësia, ky është vetëm një përcaktim i situatës. Sigurisht që kemi mangësi dhe probleme në ekonomi që duhet t’i zgjidhim. Menjëherë pas zgjedhjeve ne nisëm përgatitjet për reformat ekonomike, por mes këtyre që po kalojmë dhe të vërtetave ka një çekuilibër kaq të madh, saqë jemi të detyruar të kërkojmë gjëra të tjera dhe ne i vërejmë këto. Në të vërtetë, deklaratat e bëra nga qarqet në cilësinë e burimit të krizës tregojnë qartë se problemi është përshkallëzuar në bazë të arsyeve dhe motiveve të ndryshme. Por nuk duhet të heqim asnjëherë nga mendja jonë të vërtetën se çdo krizë sjell me vete shanse të shumta. Si drejtues të shtetit, ne kemi zbatuar e po zbatojmë reforma të mëdha dhe ndryshime rrënjësore për ta kapërcyer këtë”, tha presidenti turk.
Erdogani theksoi se nuk do të ketë pavarësi politike pa një pavarësi ekonomike.
“Askush nuk do të arrijë ta gjunjëzojë sërish Turqinë, të cilën ne e kemi bërë të qëndrojë mbi këmbët e saj. Të gjitha thashethemet, shpifjet, gënjeshtrat e kundërta janë vepra të tradhtarëve të FETO-s, vrasësve të PKK-së, të cilët ekzistencën e tyre e kanë ngritur mbi armiqësinë ndaj vendit dhe popullit tonë”, shtoi ai.
Kreu i shtetit turk u ndal gjithashtu mbi luftën kundër terrorizmit dhe tha se Turqia është e vendosur të vazhdojë të luftojë me të njëjtin plan.
“Ne do të shkatërrojmë të gjithë terroristët në Kandil, Xhudi, Gaba dhe Tendurek. Ata do të arratisen, ne do t’i ndjekim dhe do t’i gjejmë. Ata kurrë nuk do të kenë fuqinë për të minuar paqen dhe prosperitetin e këtij kombi, sepse ne jemi një popull që vdesim një herë dhe ringjallemi një mijë herë”, u shreh Presidenti Erdogan.










