Deklarata e zyrtarit të lartë të BE-së, Oliver Varhelyi, ku nuk përjashtohet mundësia që në qershor bisedimet me Brukselin zyrtarisht t’i fillojë vetëm Shqipëria ka hapur debat dhe dilema në opinion. Ekspertët njëzëri shprehen se këto dy vende nuk duhet të ndahen në konferencën e parë ndërqeveritare, një gjë e tillë do të shkaktonte pakënaqësi në skenën politike rajonale. Nga ana tjetër, thonë se kur është në pyetje progresi dhe përmbushja e reformave nga një vend kandidat padyshim se secili duhet vlerësuar bazë meritave individuale.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin që deri në fund të qershorit të nisin zyrtarisht bisedimet me Brukselin për anëtarësim në familjen e madhe evropiane. Megjithatë, në opinion u hapën dilema nëse dy vendet e Ballkanit perëndimor do të jenë së bashku në konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel.
Debati u hap pas deklaratave të komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, i cili gjatë një vizite në Shkup deklaroi se nuk përjashton mundësinë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe e vetme të nis bisedimet zyrtare për aderim në BE.
“A është e mundur të ndahen dy vendet? Ky proces bazohet në merita dhe nëse shikoj arritjet e Shqipërisë, shoh se ata i kanë përmbushur të gjitha kushtet… Nëse nuk ka marrëveshje në lidhje me Maqedoninë e Veriut, mund të vijë ai moment, kur do të duhet ta shqyrtojmë këtë opsion. Shpresoj që kjo të mos ndodhë. Sot kemi pasur bisedime shumë të rëndësishme me kryeministrin dhe kemi rënë dakord që duhet të bëjmë përparim”, ka deklaruar Varhelyi.









