‘Facebook transparenca’ e Kurtit dhe zëvendësit të tij, nuk shkojnë në Kuvend të raportojnë për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendësi i tij, Besnik Bislimi kanë zgjedhur që ‘transparencën’ e tyre për dialogun ta bëjnë nëpërmjet Facebookut dhe jo në Kuvendin e Kosovës ku raportohet për procese të rëndësishme të vendit.

Edhe pse i pari këtë e filloi kryeministri Kurti, një shembull të njëjtë po e ndjek edhe zëvendësi i tij Bislimi i cili gjatë ditës së sotme nëpërmjet Facebookut ka njoftuar lidhur me takimet dypalëshe e trepalëshe në Bruksel.

Bislimi ka zgjedhur Facebook’un që t’i adresojë çështjet e diskutimit, duke i ikur raportimit në Kuvendin e Kosovës ku deputetët mund edhe të të vënë në siklet me pyetjet e tyre.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se takimi Kosovë – BE ka zgjatur 6 orë e gjysmë edhe se asociacioni nuk është përmendur në asnjë fjalë, ndërsa sipas tij, janë identifikuar 11 marrëveshje ku Serbia s’i ka përmbushur detyrimet e saja.

Takimi trepalësh Kosovë-Serbi-BE është mbajtur të mërkurën me fillim në ora 13 e 30 dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta. Pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni. Në përgjigjen time ndaj “shqetësimeve” të ekipit serb, kam adresuar edhe asociacionin”, ka shkruar Bislimi.

Më tutje, ai ka thënë se takimi trepalësh mes Kosovës, Serbisë dhe Bashkimit Evrpoian është mbajtur të mërkurën dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta, e sipas tij, pala kosovare ka shtruar vërëjtjet me fokus të asociacioni për të cilit shprehet se Serbia s’ka kredibilitet moral për të kërkuar implementimin e çfarëdo marrëveshje.

Bislimi është kritikuar sot nga aktivistë të shoqërisë civile. Eugen Cakolli nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se raportimi për dialogun s’do duhej të kufizohej nëpër rrjete sociale.

Raportimi për dialogun me Serbinë nuk do të duhej të kufizohej në “raportim” nëpër rrjete sociale. Kuvendi i Kosovës është vendi ku së pari duhet raportuar e ofruar llogari”, ka thënë ai.

Kritike ndaj Bislimit ka qenë edhe aktivisja Jeta Krasniqi. Ajo nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se nuk mjafton transparenca nëpërmjet Facebookut sepse ka shumë pyetje që nuk kanë përgjigje.

Disa prej tyre jane: 1. Cilat jane marreveshjet e identifikuara nga pala kosovare si te pazbatuara nga pala serbe? 2. Cilat jane marreveshjet e identifikuara nga pala serbe si te pazbatuara nga pala kosovare – pervec marreveshjes se asociacionit? 3. Cfare ka kerkuar pala kosovare te behet me keto marreveshje? A ka kerkuar rinegocim te tyre? Zbatim te tyre? Apo zhberje te tyre? 4. Pra, cfare do te ndodh me marreveshjet tashme te arritura te dialogut?

Ne anen tjeter, 5. A ka pasur nje diskutim apo dakordim se si te zhbehen institucionet e tjera paralele serbe ne Kosove – per te cilat nuk ka marreveshje psh. shendetesia, arsimi, sistemi postar etj. 6. A kane arritur palet nje dakordim se si do te ecet tutje me kete proces? 7. Kur pritet takimi i rradhes ne kete nivel? 8. Per me teper, a do te jene keto tema diskutimi dhe ne takimin e nivelit te larte ne nivel te Kryeministrit Kurti qe pritet te mbahet me 25 korrik? Natyrisht dhe shume e shume pyetje te tjera, te cilat z. Bislimi do duhej te jepte pergjigje ne Kuvend te Kosoves dhe pse jo dhe ne mediume te tjera si ne diskutime me shoqerine civile dhe ne media. Kjo e gjitha per te garantuar vertet nje proces transparent, llogaridhenes dhe gjithperfshires”, ka shkruar Jeta Krasniqi.

Por, një veprim të njëjtë si Bislimi e kishte bërë edhe shefi i tij, kryeministri Kurti. Ai pas takimit me Vucic në Bruksel kishte shkruar në Facebook krejt shkurtimisht çfarë ka propozuar në dialog, por nuk kishte shkuar në Kuvend për të raportuar.

Pavarësisht që nuk kishte shkuar të raportojë në Kuvend, kryeministri Kurti i pyetur nga gazetarët në një ngjarje që s’ka lidhje me dialogun, ishte shprehur i gatshëm për të raportuar, por këtë nuk e bëri ende.

Çdo herë i gatshëm jam unë”, ka thënë shkurt Kurti nga Prizreni ku vizitoi sot panairin e shkollave profesionale.

Mbetet të shihet nëse kjo qasje ‘hermetike’ e qeverisë Kurti do të ndryshojë dhe nëse do t’i drejtohen Kuvendit të Kosovës që të raportojnë lidhur me dialogun, pasi si opozitë e kanë kritikuar çdo qeveri lidhur me këtë çështje.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu