Fadil Zendeli kryetari i RDK-së: Energjinë tonë duhet ta fokusojmë kundër pushtetit kriminal të BDI-së

Pavarësisht që partitë jashtparlamentare nuk iu përgjigjën ftesës së djeshme të Lëvizja BESA dhe RDK-në, dera për bashkëpunim nga ana e dy partive të lartpëmendura ende mbetet e hapur. Kështu deklaroi kryetari i RDK-së, Fadil Zendeli, në emisionin “Arena” në TV Shenja.

“Me këtë nuk don të thotë se janë mbyllur të gjitha hapësirat, të gjitha mjetet e komunikimit ndërmjet partive politike shqiptare. Pa marrë parasysh nga takimi i cili u realizua vetëm ndërmjet dy subjekteve, komunikimi, bashkëpunimi, mënyrat e komunikimit ndërmjet këtyre partive duhet të vazhdojnë, me qëllim të realizimit të paktën të një fryme ndërmjet këtyre partive”, tha Zendeli.

Ai shtoi se e keqja e shqiptarëve nuk janë partitë jashtëparlamentare shqiptare, por është pushteti aktual VMRO-BDI, prandaj sipas tij, nëse arrihet te një bashkëpunim opozitar, do të arriheshte një qëllim i mirë.

“Gjithë fokusi dhe energjia jonë si parti jashtëparlamentare, duhet të orientohet në drejtim të denigrimit apo në drejtim të rrëzimit të këtij pushteti i cili është një e keqe për shqiptarët, ose pushteti i BDI-së lirisht mund të quhet edhe si kriminal”, deklaroi Zendeli.

Sipas tij, meqenëse bashkimi i opozitës është një kërkesë e përgjithshme e opinionit shqiptar, sigurisht që duke e pas parasysh periudhën para zgjedhore, ky bashkim do të jepte rezultatet e veta pozitive.

Duke komentuar deklaratat e liderit të LR-PDSH-së, Zijadin Sela, Zendeli tha se nuk ka pritur që Sela aq shumë të merret me të, në vend që të merret me VMRO-në dhe BDI-në.

“Një kundërshtar real i partive jashtëparlamentare shqiptare nuk është Fadil Zendeli, por është pushteti aktual. Realisht nga personi në fjalë nuk dëgjova ndonjë akuzë ose ndonjë vlerësim rreth proceseve politike, rreth pushtetit aktual. Ai tërë kohën u mor me emrin tim dhe subjektin të cilin unë e përfaqësoj”, tha Zendeli.

Zendeli shtoi se reagimi i Ziadin Selës, nuk i shërben krijimit të një fryme pozitive ndërmjet partive politike shqiptare.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu