Nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bazuar në pamjet filmike të transmetuara në emisionin investigativ “Stop”, u bë ndalimi i shtetasit: Ukë Buçpapaj, 58 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë kryetar i shoqatës “Ader”, pedagog i anglishtes.
Dhe është shpallur në kërkim shtetasja E. M., 27 vjeçe, banuese në Tiranë, me detyrë sekretare.
Ndalimi i Ukë Buçpapaj dhe nisja e procedimit në ngarkim të E. M. u bë sepse gjatë ushtrimit të detyrës te kjo shoqatë dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar një numër të konsiderueshëm certifikatash të gjuhës angleze, të cilat ua kanë shitur studentëve të Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore, kundrejt shumës 150 euro për çdo certifikatë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 72 certifikata të lëshuara nga kjo shoqatë. Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”, “Falsifikimi i dokumenteve, në bashkëpunim” dhe “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga Nenet 164/b, 186-25 e 180 të Kodit Penal.
/Blitz