Familjarët e të masakruarve në Luboten kujtojnë ende tmerrin (VIDEO)

15 vjet dhimbje. 15 vjet trishtim. 15 vjet kujtime të mbushura me trishtim, ankth dhe trauma nga dita e 12 gushtit të vitit 2001, kur në fshatin Luboten të Shkupit, u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së forcave maqedonase të sigurisë, ku u vranë dhjetë civilë shqiptarë. Në mesin e të vrarëve ishte edhe fëmija 6 vjeçar, Erxhan Aliu. Familjarët e Erxhanit edhe sot kujtojnë momentet trishtuese të ditës së masakrës së këtij fshati. Humbja i fëmijës 6 vjeçar për familjen Aliu është një plagë që nuk do të mbyllet asnjëherë.

“Në ora pesë atë ditë në premten e kanë vrarë në rrugë, e kanë sjellë të vdekur në shtëpi. Edhe në shtëpi brenda ka rënë një granatë. Keq shumë, si njeri i vdekur kur vjen në shtëpi, keq, por nuk ke çfarë të bësh”, tha gjyshja e Erxhanit, Naxhie Aliu.
Vitet kalojnë ndërsa dhimbja rritet çdo ditë e më shumë.

“Djali ka qenë 5 vjet e gjysmë. E kemi mbajt gjithë natën në shtëpi dhe të nesërmen e kemi varros në oborr pastaj pas një jave e kemi varros tek varrezat. Te punkti e kanë marrë axhën dhe babanë e tij”, thotë lokja Naxhie për Tv Shenja.

Ndërkohë, nëna e Erxhanit 6-vjeçar, përderisa kujton me lot në sy ditën e masakrës, thotë se për të asgjë në jetë më nuk ka kuptim.
“Me 10 gusht është vrarë Erxhani. Asgjë nuk ka ndryshu prej atëherë. Asnjëherë askush nuk ka ardhur të na vizitoj. Babain, axhën dhe djalin e axhës së Erxhanit e kanë marrë policia. Axha ka qëndru në arrestim 24 orë ndërsa babain 4 muaj e 10 ditë ka qëndru në burg. Ndjehemi shumë keq kur e mendojmë Erxhanin, të vetmin djalë e kemi Erollin. Nuk di çfarë të them. Si një njeri i verbër ashtu e kemi ne jetën pa Erxhanin”, tha nëna e Erxhanit, Avushe Aliu.
Viktimat e tjerë të masakrës së Lubotenit edhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili.

Gjithashtu u dogjën edhe 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së. Për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë, Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte dënoi me 12 vjet burg ish-pjesëtarin e lartë të forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza. Tarçullovski pas mbajtjes së 8 viteve burg është liruar.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu