Fatmir Limaj: Kam informata se Albin Kurti është takuar me Hashim Thaçin

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë që në bazë të informacioneve që ka, kryetari i LVV-së, Albin Kurti është takuar me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

“Unë kam informata që ka pasur takim, kjo nuk është informatë e çarshisë. Unë i shoh që do të funksionojnë sipas ligjit, secili i ka kompetencat që ia jep ligji, por shenjat nuk janë të këqija”, ka thënë Limaj në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini.

Kryetari i LVV-së Albin Kurti dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi kanë shprehur haptazi kundërshtimet dhe qasjet e ndryshme politike.

Kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, do t’i duhet t’i shkojë në zyrë presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të marrë mandatin si kryeministër.

Ky do të ishte edhe takimi i parë zyrtar sy më sy mes Kurtit dhe Thaçit.

Kurti në #DebatPernime përballë Jeta Xharrës, gjatë fushatës zgjedhore ka thënë se do të shkojë në Presidencë për procedurat kushtetuese, në rast se i merr votat për ta udhëhequr Qeverinë e re të Kosovës.“Ai është obligim kushtetues i tij dhe më në fund do të ketë diçka të mirë që do të bëj ai si President”, kishte thënë Kurti.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu