28 hetuesit e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e njohur ndryshe si “FBI-ja” shqiptare, do të nisin punën javën e ardhshme.
Kandidatët që përfunduan me sukses muajin e parë të trajnimit bazë, duke filluar nga java tjetër do të emërohen zyrtarisht si hetues të BKH-së.
“Rrugëtimi i tyre filloi me procesin e përzgjedhjes gjatë muajit Tetor 2020 dhe ka përfshirë teste të logjikës së arsyetimit, testin fizik, hartimin e esesë, intervistën e strukturuar, si dhe një verifikim të gjerë të figurës. Me përfundimin e kësaj faze të parë, ne presim me padurim që ata të vijojnë me sukses fazat e mëtejshme të trajnimit, të cilat do të përfshijnë: “Trajnimin për Armët, Sigurinë dhe Aftësitë e Mbijetesës”; Trajnimin me Drejtorinë Italiane të Hetimit dhe Antimafias (DIA); si dhe Trajnimin me Byronë Federale të Hetimit SHBA-ve (FBI). SPAK, gjithashtu ju uron sukseset më të mira të gjithë atyre shtetasve shqiptarë që kanë dorëzuar së fundi aplikimet e tyre për të qënë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SHBA: Keni mbështetjen tonë
Përmes një reagimi, ambasada e SHBA thotë se ata do të ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi.
“Urime 28 hetuesve të sapoemëruar të BKH-së! Këta individë janë testuar dhe janë duke u trajnuar. Shtetet e Bashkuara janë krenare që mbështesin këta individë, ndërsa ata ndërmarrin fazat e tjera të trajnimit të tyre dhe ndihmojnë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Ne i urojmë fat të mirë të gjithë atyre që kohët e fundit kanë dorëzuar aplikimet e tyre për të qenë pjesë e grupit të dytë të hetuesve të BKH-së”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Soreca: Janë të specializuar për të luftuar korrupsionin
“Urime 28 hetuese të BKH, të emëruar ditën e sotme, pasi kaluan me sukses rekrutimin dhe trajnimin fillestar. Mund të mbështetemi tani te ky grup hetuesish të specializuar për të luftuar kriimin e organizuar dhe korrupsionin. Reforma në drejtësi vazhdon”, shkroi ambasadori Luigi Soreca në Twitter.









